Pacolli kërkon dënimin e Serbisë para pajtimit

Zëvendëskryeministri  dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, deklaroi se pajtimi mes Serbisë dhe Kosovës nuk do të jetë i mundur me mosndëshkimin e Beogradit.


Duke shkruar për rrëfimet e ish-presidentes Jahjaga, Vasfije Krasniqit dhe Ilit Bytyqit para Kongresit amerikan, Pacolli tha se ne nuk ishim agresorë, por viktima, dhe viktimat kanë nevojë për drejtësi.

Ai shprehu mirënjohje për kongresmenin Eliot Engel për marrjen e kësaj nisme dhe për të gjithë ata që dëshmuan në seancën dëgjimore.

“Drejtësia e Kosovës dhe ajo ndërkombëtare nuk kanë arritur të adresojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë. Mosndëshkimi për Beogradin, për ushtarakët dhe politikanët që janë përfshirë drejtpërsëdrejti në kryerjen ose planifikimin e krimeve të luftës kundër shqiptarëvë të Kosovës nuk do të bëjë pajtimin e mundur. Gratë e dhunuara, vëllezërit e vrarë, familjet e masakruara nuk morën drejtësi. Kjo duhet të jetë prioritet për bashkësinë ndërkombëtare që duhet adresuar.Unë jam mirënjohës për Kongresmenin Engel për marrjen e kësaj nisme dhe për të gjithë ata që dëshmuan në seancën dëgjimore. Po ashtu një falënderim shkon edhe për presidenten Jahjaga për punën e saj” , shkruar Pacolli në rrjetin e tij social Facebook.