×
  • Lajme
  • Lajme

    Pacolli nervozohet me deputetët: Mos u zgërdhini me mu, e keni humb vlerësimin

    Reporteri
    02 Maj 2019 | 12:54

    Në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike po raporton ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.


    Deputeti nga radhët e VV-së, Glauk Konjufca, ka ngritur çështjen e Enrike Rajs, i cili sipas drejtësisë amerikane është akuzuar për krim të organizuar ku siç tha ai edhe Pacolli është folur që ka pasur lidhje biznesi për çka kërkoi sqarim.

    “Janë bërë lajme për ju dhe priten nga ju sqarime. Nga drejtësia amerikane janë publikuar dokumente se personi që është emëruar konsull nderi në Honduras është edhe i akuzuar për krim të organizuar. Kur ju keni qenë në Honduras a ka qenë edhe ai aty? Rasti i tretë tregon se ju i keni shitë edhe apartament në Zvicër këtij?, ishin pyetjet me të cilat iu drejtua Konjufca.

    Pacolli u shpreh i frustruar ndërsa shtoi se nëse vazhdojnë më këto akuza do ta lëshoj mbledhjen.

    “Nëse flisni për mua, sqarojeni se ku dhe si përmendet. Sigurisht që e njoh. Jeton në Zvicër në shtetin më transparent. Mua nuk më intereson ajo punë hiç. Unë jam njëri i cili është transparent dhe jo anonim. Unë z. Rajs e njoh mirë dhe atë ma ka prezantuar ambasadori i ShBA-së, Walker në kohën kur kam lobu për Kosovën. Unë kam qenë i ndihmuar nga William Walker për të shkuar në Salvador duke ditë që ai ka qenë kohë të gjatë ambasador në Salvador. Kemi udhëtuar bashkë. Ai më ka njoftuar me njeriun Enrike Rajs. Ai për mua është burrë i vërtetë sepse sa janë përfundu dy njohjet, ai ka qenë intenziv dhe na ka ndihmu. Ai e ka sjellë në vizitë në Kosovë edhe presidentin e Hondurasit. Rajs posedon katër avionë. Unë e kam shfrytëzuar një aeroplan të tij deri sa e kam marrë timin. Sa e kam përdorë aeroplanin e tij ai i ka tërheqë mjetet nga llogaria ime. Ai ka ble një apartament timin për 2 milionë e 600 mijë euro. Psh Shakira ende e përdorë aeroplanin e tij dhe e paguan normalisht”, ishte sqarimi i Pacollit, raporton EO.

    Ai më tej ka treguar se personi në fjalë nuk është kërkuar asnjëherë nga Interpoli.

    Pacolli tha se Rajs nuk ka qenë asnjëherë konsull nderi.

    “z. Rrajs nuk është kërku asnjëherë nga Interpoli. Kur e ka ble apartamentin nga unë ka marrë obligim me pagu dalëngadalë. Nuk është konsull nderi, nuk ka qenë asnjëherë. Nuk kam pasë asnjë lidhje biznesore me të”, tha Pacolli.

    Por, Konjufca vazhdoi me pyetjet e tij.

    “Në emailat e tij të publikuara nga drejtësia amerikane është thënë se keni ngritë bashkë një kompani në Libi?”.

    Pacolli tha se ky është kryekëput spekulim.

    “Spekulim 1 milion për qind. Gjema një shenjë se kam lidhje biznesore. Nëse gjen një shenjë unë jap dorëheqje nga pozita e ministrit. Duhet të dini se ai njeri nuk ka ardhë prej qiellit, por si mik i ngushtë i William Walker”, tha Pacolli.

    “Ai mund të jetë engjëll ministër, por e ka shkelë ligjin”, vazhdoi Konjufca.

    “Nuk e ka shkelë ligjin. Këto janë pyetje që më bën të dyshoj në kualitetin e komisionit. Unë në komisionin e kaluar jam bë racist, seksist…Mos u zgërdhini me mu. Deri sa më quani seksist për mua e keni humbë vlerësimin”, tha Pacolli duke iu drejtuar deputetes Fitore Pacollit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!