×
  • Lajme
  • Lajme

    Pal Lekaj: Qytetarët të dëshpëruar me Qeverinë Kurti, do të kërkohet që Haradinaj të rikthehet në udhëheqje të shtetit

    Reporteri
    26 Mars 2022 | 14:01

     Autor: Blendi Gashi


    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, e vlerëson të dobët punën një-vjeçare të Qeverisë Kurti, ku sipas tij më së shumti ka dështuar në zhvillim ekonomik të vendit, ndërsa ia jep meritat për disa punë të kryera në fushën e drejtësisë.

    Lekaj në një intervistë dhënë për Gazetën Online Reporteri.net kritikon Kurtin edhe për mënyrën si udhëheq me dialogun me Serbinë, si dhe për rritjen e çmimeve në vend.

    Deputeti i AAK-së në këtë intervistë tregon nëse Qeveria mund ta çojë mandatin deri në fund, flet për protestat e organizuara së fundmi nga serbët në Kosovë, për udhëheqjen e Ministrisë së Infrastrukturës nga Liburn Aliu, si dhe për partinë e tij.

    Lexoni të plotë intervistën me deputetin e AAK-së, Pal Lekaj, dhënë për Gazetën Online Reporteri.net:

    Si e vlerësoni punën e Qeverisë Kurti2? A është në vijë me pritjet e qytetarëve?

    Punën e Qeverisë e vlerësojmë dobët, madje edhe për vetë z.Kurtin gjendja është më e keqe se vetë ai që e ka menduar. Për mua dhe të gjithë ata që mendojnë drejtë kjo qeveri është qeveri në praktikë.

    Sipas jush cilat janë tri top-dështimet dhe tri punët e mira që ka bërë?

    Tre top dështimet e kësaj qeverie janë: mos zhvillimi ekonomik i shtetit e refuzimi i projekteve strategjike ndërkombëtare, mos hapja e vendeve të punës e mos kalimi i ligjit të pagave, dhe qytetarët e kanë mirëqenien më të dobët qysh nga pas lufta.

    E vetmja punë e mirë janë disa nga zhvillimet në dikasterin dhe fushën e drejtësisë, asgjë tjetër.

    Dje protestuan serbët në Kosovë dhe konfirmuan tërheqjen nga institucionet siç thanë deri në rikthimin në punë të gjyqtares nga veriu. Si duhet të veprojë Qeveria?

    Protesta e serbëve janë në koordinim  me politikën në Beograd që në ditët e fundit ka tentuar të rris tensionet në Veri, krejt kjo për të dërguar në incidente të mundshme që në këto momente do t’i përshtateshin interesave ruse. Për këtë arsye Qeveria e Kosovës duhet të qëndroj në komunikim me partnerët e QUINT-it dhe të evitoj çdo eskalim të mundshëm.

    Në dialog me Serbinë a po e bën punën e duhur kryeministri Kurti? A pritni që gjatë mandatit të tij të përfundojë marrëveshja finale?

    Qeveria dështoi edhe në dialog, sepse besoni që ende nuk e dijnë që dialogu është një proces i rëndësishëm dhe një moment i veçantë pas të gjitha zhvillimeve në botë. Dhe me bindje e them se qeveria duhet të jetë më pro SHBA-së në tavolinën e dialogut me Serbinë, dhe këtë nuk e kuptojë dot pse Qeveria Kurti janë skeptikë përballë SHBA-ve. Kryeministri ende nuk e ka kuptuar që çështja e dialogut me Serbinë shkon përtej interesave partiake, dhe se partitë parlamentare duhet të tentojnë të ndërtojnë një qëndrim të përbashkët lidhur me qasjen ndaj Serbisë dhe dialogut në veçanti.  Kur kësaj ja shtojmë edhe dy të meta kryesore që e kanë karakterizuar procesin e dialogut e që janë mungesa e transparencës dhe llogaridhënies, e që për mua procesi i dialogut nga ana e qeverisë Kurti është i dështuar.

    A pritni që Qeveria Kurti të çojë mandatin deri në fund? Nëse jo, pse?

    Qeveria Kurti e ka mundësinë ta dërgojë këtë mandat deri në fund, pra vetëm ata mund ta rrëzojnë vetveten sepse kanë shumicën dhe mund të bëjnë çdo gjë. Edhe nëse rrëzohet qeveria qytetarët e dijnë që ata qëllimshëm apo me kalkulime politike e rrëzuan veten. Rrjedhimisht mund të ndodhë që ata të mos e dërgojnë këtë mandat në fund, si pasojë e mos dijes për qeverisje të brendshme dhe të jashtme, pra për shkak të punëve dhe proceseve të mëdha e të cilat vetëm Ramush Haradinaj di dhe mund ti shtyjë përpara.

    Keni qenë ministër i Infrastrukturës. Si po e shihni udhëheqjen e kësaj ministrie? Ka ngecje apo puna po shkon në rrugë të duhur?

    Se sa ka qenë e zhvilluar infrastruktura dhe sa kanë qenë investimet në Infrastrukturë në kohën e Qeverisë Haradinaj, vetëm qytetarët mund dhe dijnë ta vlerësojnë. Me sinqeritet e potencojë që kemi bërë një punë të jashtëzakonshme në infrastrukturë gjithandej vendit, dhe për të cilën punë krenohemi. Ministria e Infrastrukturës në kohën e Liburn Aliut fatkeqësisht ka mbetur në ‘status-quo’, pa lëvizur asgjë, dhe për më keq ka bllokuar shumë projekte gjithandej vendit në kuadër të rrugëve e investimeve lokale e regjionale si dhe ka ndaluar mirëmbajtjen e rrugëve për stinën e verës dhe dimrit. Kjo është keq pasi që në vend që ky ministër të shikonte mundësinë e zhvillimit dhe investimit te tramvajeve në qytetet e Kosovës, rikthimin dhe zhvillimin e hekurudhave të trenit në tërë Kosovën, e shumë projekte të tjera, kosovarët po përballen me rrugët e bllokuara edhe nëse bie një borë e vogël.  Kjo është Ministria e Infrastrukturës, pa ide, pa plane pa projekte strategjike për të ardhmen e Kosovës.

    Rritja e çmimit të rrymës dhe produkteve të tjera, a mund të jenë një “shuplakë” për Kurtin dhe partinë e tij kurdo që mbahen zgjedhjet e reja parlamentare?

    Vitin e fundit, shporta e qytetarit është e shtrenjtë dhe e zbrazët si rezultat i qeverisjes së dobët dhe ngritjes së çmimeve. Sot, qytetari ndihet i vetëm, pa shpresë, pa punë, pa sigurime shëndetësore, pa barkë të ngopur, pa perspektivë, pa të ardhme, madje edhe pa ëndrra sepse dikur në ëndrrat e tyre ishte lëvizja Vetëvendosje e cila posa erdhi në pushtet  i dëshpëroi me qeverisje e udhëheqje të gjithë qytetarët. Prandaj qytetarët nuk harrojnë dhe do ta ndëshkojnë. Tani për tani mendojë që VV ka rënë 50% nga total i votave nga zgjedhjet e fundit. Çdo ditë që kalon, rënia do të theksohet më shumë.

    Të kthehemi tek partia juaj, AAK-ja? Sa është e konsoliduar sot?

    AAK është komode në rrugëtimin e saj si parti politike, ku falë real politikës ende e gëzon besueshmërinë e qytetarëve dhe çdo ditë po rritet e po fiton respektin e atyre që e duan shtetin e sigurt me sovranitet të plotë, me zhvillim e drejt rrugës evropiane.

    Në nivel lokal kemi përfomancën dhe kryetarët më të mirë të komunave nga të gjitha partitë e tjera, këtë e dijnë qytetarët pasi këta kryetarë bëjnë punë të shkëlqyeshme.

    Sa jeni të kënaqur me opozitarizmin që po bëni dhe bashkërendimin me partitë tjera opozitare?

    Ne jemi Grup Parlamentar shumë i zëshëm opozitar, ku vazhdimisht opozitën e bëjmë me debate parlamentare, organizime të tryezave të ndryshme parlamentare, pyetje e diskutime nga më të ndryshmet në Kuvend të Kosovës për mbrojtjen e interesave të qytetarëve.

    Bashkërendimet me kolegët dhe partitë opozitare janë në nivel të kënaqshëm, dhe të tilla do të mbesin edhe në vazhdim.

    Në zgjedhjet e ardhshme, ku e shihni AAK-në, në sa përqind të elektoratit?

    Asnjë situatë dhe asnjë rrethanë politike nuk e largon AAK-në nga baza e saj 7-10% të votuesve nga e gjithë Kosova, e për të cilët votues besnik jemi falënderues për besimin e vazhdueshëm. Për më shumë, mendojë që rrethanat e krijuara në Kosovë, dalja në pah e qeverisë Kurti mbi mosdijen e qeverisjes dhe mos përmbushjes së asnjë premtimi që e kanë thënë, si dhe proceset e rëndësishme që e presin Kosovën, do të kërkohet nevoja që lideri  Ramush Haradinaj të kthehet në udhëheqje të shtetit, e kjo realisht do të rrisë përqindjen e votave që mund të shkojë në 15-18%. Shkurt e shqip ata qe ditën të bëjnë luftën, dijnë ta bëjnë edhe paqen por edhe zhvillimin e shtetit. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!