×
  • Lajme
  • Lajme

    “Palët të përmbahen nga veprimet e papërgjegjshme”, Admirali i NATO-s vjen në Kosovë, diskuton me QUINT-in për rikthim në dialog

    Reporteri
    31 Maj 2023 | 16:36

    Admirali i NATO-s, Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli vizitoi sot Kosovën, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ai u takua me komandantin e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR) për të diskutuar planet dhe operacionet e ardhshme për të ruajtur, me paanshmëri ndaj të gjitha palëve, një mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë, në përputhje me mandatin e KFOR-it në OKB, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

    Në njoftimin e bërë në Twitter, thuhet se diskutimet e tyre përfshinin 700 trupat shtesë nga batalioni rezervë i thirrur në Kosovë nga NATO për të normalizuar situatën dhe për të garantuar sigurinë, si dhe dislokimin e mundshëm të një batalioni tjetër rezervë që është vendosur në gatishmëri të lartë, në rast të trupave shtesë nëse janë të nevojshëm.

    Admirali Munsch vlerësoi largpamësinë dhe veprimet e KFOR-it në parandalimin e lëndimeve nga dhuna e 29 majit në Kosovë.

    Gjithashtu, Admirali i NATO-s u takua me ushtarët e KFOR-it nga Hungaria dhe Italia të cilët u plagosën në protestën e së hënës në Zveçan, derisa po kryenin detyrën për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurtë në Kosovë.

    “Ai vlerësoi profesionalizmin, guximin dhe përmbajtjen e tyre në trajtimin e dhunës. Ai falënderoi gjithashtu kombet e Hungarisë dhe Italisë për ofrimin e ushtarëve të tillë të trajnuar mirë”, thuhet në njoftim.

    Munsch u takua edhe me ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara për t’u konsultuar me ta për mbështetjen e tyre për një rikthim në dialog dhe për t’i dhënë fund dhunës.

    “Admirali e mbylli vizitën e tij duke u bërë thirrje “të gjitha palëve, përfshirë ato që vendosën kushtet për dhunën më 29 maj, të përmbahen nga vendimet dhe veprimet e mëtejshme të papërgjegjshme dhe në vend të kësaj të angazhohen në negociata diplomatike”./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!