×
  • Lajme
  • Lajme

    Paratë po ndahen pa “dhimbje”, ndahen 1.5 milionë euro për “asfaltin e barit”

    Reporteri
    30 Prill 2019 | 11:37

    Asfalti në disa prej rrugëve të vendit po shtrohet shkel e shko. Vetëm pak muaj pasi po përfundojnë punimet, barishtet po “lulëzojnë” mbi asfalt.


    Dëshmi për këtë janë disa prej rrugëve të Klinës, Deçanit dhe Shtimes. Rrugët e këtyre komunave tashmë kanë filluar të shndërrohen në “kopshte”.

    Por edhe ky problem do të zgjidhet në kurriz të qytetarëve, pra me paratë e tyre. Ministria e Infrastrukturës ka shpallur tender në vlerë prej 1.5 milionë euro për kontrollin e cilësisë së rrugëve në gjithë vendin.

    Vetëm pesë muaj pas asfaltimit të rrugës Çabiq-Ujmirë në Klinë, bari tashmë ka mbirë në asfalt, ani pse për ndërtimin e kësaj rruge janë shpenzuar hiç më pak se 92 mijë e 238 euro.

    Por, barishtet nuk po del të jenë problemi i vetëm në rrugën Çabiq-Ujmirë. Pothuajse në çdo pjesë të kësaj rruge asfalti është i shkatërruar e po të mundohesh vetëm pak, asfaltin mund ta largosh edhe me dorë.

    Gjendja e rrugëve nuk është hiç më e mirë as në vendlindjen e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

    Bari ka filluar të “lulëzojë” edhe në një rrugë në Gllogjan të Deçanit.Sipas qytetarëve rruga është shtruar para pesë muajsh, por cilësia e dobët ka bërë që bari të depërtojë mbi asfalt.

     

    Barishteve nuk kanë arritur që tu “rezistojnë” as trotuaret në Komunën e Shtimes.

    Trotuari në fshatin Petrovë-Llanisht tashmë është shndërruar në një kopsht. Aty pa u munduar fare mund të gjesh lloje të ndryshme barishtesh.

    Qytetarët kanë dërguar fotografi në adresë të redaksisë, ku shihet trotuari i mbuluar nga bari, edhe pse ndërtimi i tij ka përfunduar vjeshtën e vitit të kaluar.

    “Ky trotuar është shtruar ne vjeshtën e vitit te kaluar ne fshatin Petrove-Llanisht, komuna e Shtimes. Ende pa i mbushur 1 vite gjendje e trotuarit është kjo’, tregon U.H nga Shtimja për Express.

     

    Pas raportimit të qytetarëve, Klina ka filluar ta prishë “kopshtin” që ishte zhvilluar në asfalt. Komuna e Klinës ka marrë masa menjëherë, dhe se rehabilitimi i kësaj rruge ka filluar. Por, njëjtë nuk kanë vepruar edhe dy komunat e tjera.

    Gazeta Express ka provuar që të marrë informacione edhe nga dy komunat e tjera për gjendjen e këtyre rrugëve dhe koston e tyre, por që deri në momentin e publikimit të tekstit nuk ka marrë përgjigje.

    Por, problemit me cilësinë e asfaltit duket se shumë shpejt do t’i vije fundi.

    Ministria e Infrastrukturës së fundmi ka shpallur tender në vlerë prej 1.5 milion euro për “Ekzaminimet kontrolluese për materiale dhe për kualitetin e punëve në projektet e infrastrukturës rrugore”.

    Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, tenderi është i ndarë në dy grupe.

    Në të parin hyjnë rrugët nacionale, rajonale dhe lokale, ndërsa në grupin e dytë hyjnë autostradat dhe zgjerimet e rrugëve nacionale e rajonal.

    Kujtojmë se Reporteri.net kishte raportuar se si asfalti në Çabiq të Klinës është bërë si petë lakrori. 

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!