Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ngritur shqetësimin për rrezikun e mosmbajtjes së Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke ia atribuuar përgjegjësinë Qeverisë së Kosovës.
Reagimi i Ramës vjen pasi Qeveria ka miratuar Projektligjin për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027.
Përmes një postimi në Facebook, Rama i ka bërë thirrje publike kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë që t’u përmbahen marrëveshjeve dhe vendimeve të miratuara, duke paralajmëruar se organizimi i Lojërave është në rrezik.
Ai ka bërë të ditur se në letrën e datës 15 tetor, Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka paralajmëruar se qasja e Qeverisë së Kosovës po rrezikon mbajtjen e këtij organizimi.
Rama ka thënë se këtë qëndrim e ka përsëritur edhe në takimin e javës së kaluar të Komitetit Organizativ, ku ka kërkuar që përgatitjet të zhvillohen në koordinim të plotë me ICMG-në, duke u mbështetur në përvojën dhe ekspertizën e këtij institucioni.
Sipas tij, Komuna e Prishtinës i ka përmbushur obligimet e saj, ndërsa vazhdimisht ka kërkuar që edhe Qeveria t’i përmbushë përgjegjësitë që ka marrë përsipër.
“Po e ngre publikisht alarmin: Rreziku që t’i humbim Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 është serioz”, ka shkruar Rama.
Ai i ka kërkuar Kurtit që të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara dhe zotimet e marra, duke paralajmëruar se koha për përgatitjet po kalon.
“Mos ia humbni qytetarëve të Kosovës këtë mundësi historike!”, ka përfunduar Rama.