Sindikata e Minatorëve të Trepçës ka shprehur shqetësimin për gjendjen e sigurisë në Trepçë pasi të mërkurën 63 minatorë mbetëm për disa orë të ngujuar si pasojë e një defekti me energjinë elektrike.
Në një reagim Sindikata kë kërkuar hetim të rastit, vlerësim urgjent të gjendjes së pajisjeve si dhe investime në sigurinë e minatorëve.
“Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse hetim të plotë dhe transparent të rastit, përcaktimin e përgjegjësive dhe vlerësim urgjent të gjendjes së pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve të emergjencës dhe sistemeve të sigurisë në minierë. Kërkojmë gjithashtu investime urgjente nga shteti në sigurinë e minatorëve. Nuk mjaftojnë deklaratat dhe reagimet vetëm pas incidenteve”, thuhet në reagim.
Sindikata ka thënë se “s’mund të presin tragjedinë për të reaguar”.
“Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës shpreh shqetësimin e tonë të thellë për situatën e krijuar në minierë, ku minatorët mbetën të bllokuar në thellësi të nëntokës. Ky rast është një alarm serioz për gjendjen e sigurisë në Trepçë dhe nuk guxon të kalojë në heshtje”, thuhet në reagim.Tutje thuhet se Sindikata ka ngritur vazhdimisht shqetësimet për kushtet e punës, pajisjet e vjetruara, rrugët emergjente, rreziqet profesionale dhe mungesën e investimeve në sigurinë dhe shëndetin e minatorëve.
Në reagim thuhet se minatorët nuk mund të vazhdojnë të punojnë çdo ditë me frikën se një defekt teknik mund t’u rrezikojë jetën.
Ndërmarrja Trepça ka dalë me njoftim lidhur me incidentin e mbrëmshëm në Minierën me Flotacion në Stan Tërg, ku 63 minatorë u ndodhën në minierë pas një avarie në sistemin elektrik.
Sipas njoftimit të Trepçës, avaria ka ndodhur, rreth orës 19:30, në Trafon Tuneli, përkatësisht në sistemin 35 kV, si pasojë e së cilës është ndërprerë furnizimi me energji elektrike për minierën dhe Njësinë e Flotacionit.
Në momentin e avarisë, në minierë ndodheshin 63 minatorë, të cilët ishin në ndërrimin e dytë dhe planifikonin ta përfundonin punën në orën 23:00.
Trepça njofton se 54 minatorë kanë dalë në sipërfaqe përmes shkallëve emergjente, ndërsa nëntë të tjerë kanë qëndruar në minierë deri në rikthimin e furnizimit me energji elektrike.
“Furnizimi me energji elektrike për Minierën me Flotacion Trepça në Stan Tërg është rikthyer në orën 02:30, ndërsa 9 minatorët e mbetur kanë dalë në sipërfaqe në orën 02:50. Pas rikthimit të energjisë elektrike, ndërrimi i parë ka filluar punën normalisht në minierë”, thuhet në njoftim.