×
  • Lajme
  • Lajme / Opozita

    PDK e çon në Kushtetuese seancën e ditës kur pati grushte në Kuvend, thotë se Konjufca bëri shkelje

    Reporteri
    20 Korrik 2023 | 15:40
    Partia Demokratike e Kosovës. Fotografi ilustruese nga arkivi.

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka bërë të ditur se kjo parti ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për caktimin e Seancës Plenare të javës së kaluar, pasi sipas tyre ishte caktuar dhe ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, shkruan Reporteri.net.

    Tahiri ka shkruar në Facebook, se si palë e autorizuar pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kemi parashtruar kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit për caktimin e Seancës Plenare të datës 13 korrik 2023 të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kërkesën që i njëjti në tërësi të anulohet.

    “Krahas kërkesës për anulimin e kësaj seance dhe vendimeve që janë marrë në të, kemi kërkuar edhe Masë të Përkohshme, që deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve që kanë rezultuar nga kjo seancë jokushtetuese”, ka shkruar mes tjerash Tahiri.

    Postimi i plotë pa ndërhyrje:

    Të nderuar qytetarë,

    Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ju njoftoj se kemi kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, vendimin për caktimin e Seancës Plenare të javës së kaluar.

    Si palë e autorizuar pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kemi parashtruar kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit për caktimin e Seancës Plenare të datës 13 korrik 2023 të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kërkesën që i njëjti në tërësi të anulohet.

    Seanca e fundit plenare e Kuvendit, ishte caktuar dhe ftuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, prandaj si e tillë, duhet të anulohet dhe bashkë më të, edhe të gjitha vendimet që janë marrë në këtë seancë jokushtetuese.

    Si parashtrues të këtij rasti, vlerësojmë se, Kryetari i Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime: e para, në mospërmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe, e dyta, duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të kësaj seance – në mungesë të konsensusit të Kryesisë si rezultat i mungesës së kuorumit të nevojshëm, përkatësisht dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë.

    Si i tillë, ky vendim ka prodhuar pasoja kushtetuese dhe ligjore sepse ka rezultuar me mbajtjen e seancës plenare të ftuar sipas një procedure jokushtetuese, në të cilën janë miratuar ligje dhe projektligje si dhe vendime të tjera për zgjedhjen/shkarkimin e bartësve të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura.

    Krahas kërkesës për anulimin e kësaj seance dhe vendimeve që janë marrë në të, kemi kërkuar edhe Masë të Përkohshme, që deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, të pezullohet efekti i të gjitha vendimeve që kanë rezultuar nga kjo seancë jokushtetuese.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!