×
  • Lajme
  • Lajme

    PDK-ja thotë se nuk do ta lejojë shtrenjtimin e rrymës, “do t’i shterojmë të gjitha mundësitë”

    Reporteri
    19 Janar 2022 | 12:32

    Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka reaguar pasi Zyra e Rregullatorit për Energji në raportin e fundit konsultativ ka bërë shqyrtimin për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë.

    Tahiri ka fajësuar Qeverinë Kurti për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

    “Rritja e çmimit të energjisë elektrike si rezultat i paaftësisë së menaxhimit të situatës nga mazhoranca e udhëhequr nga Albin Kurti, është e papranueshme. PDK-ja ka paralajmëruar që nga muaji tetor për krizën energjetike që rrezikonte të përfshinte edhe vendin tonë, për çfarë qeveria qëndroi totalisht indiferente”, ka thënë ai.

    Në reagimin e bërë, Tahiri ka thënë se PDK do t’i shterojë të gjitha mundësitë që të mos lejojë shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike.

    “Grupi Parlamentar i PDK-së, do t’i shterojë të gjitha mundësitë, që në seancën parlamentare të ditës së nesërme, të mos lejojë këtë barrë të rëndë e të papranueshme për qytetarët e Kosovës”, është shprehur ai.

    Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji në raportin e fundit konsultativ ka bërë shqyrtimin për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë.

    ZRRE thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 600 kWh energji elektrike në muaj.

    “Subvencioni i dhënë nga Qeveria e Kosovës efektivisht ndikon që tarifat e konsumatorëve biznesor të mos pësojnë rritje dhe faturat për konsumatorët shtëpiak të mos rriten për konsumin që mund të ofrohet me tarifën ekzistuese nga kapacitetet vendore në Kosovë deri në 600 kWh për muaj”, thuhet në raport.

    Në raport, ZRRE propozon që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 12.31 eurosh. Ndërsa, konsumatorët që shpenzojnë 1,000 kWh rrymë në muaj të paguajnë 24.62 euro më shumë të çmimit të rrymës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!