×
  • Lajme
  • Lajme

    PDK, LDK e AAK: Pushteti nuk po arrin konsensus me opozitën

    Reporteri
    24 Dhjetor 2021 | 13:50

    Mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend nga partitë opozitare, ka bërë që të ketë përplasje mes PDK-së, AAK-së, LDK-së dhe në anën tjetër me VV-në.

    Shefi i GP i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk po arrijnë konsensus me mazhorancën, ndërsa një gjë të tillë e kërkoi.

    “Ju nuk jeni të gatshëm për asnjë moment të tregoni konsensus me opozitën. Ne s’kemi bërë asgjë më shumë e as më pak sesa që e kemi respektuar rregulloren. Unë ju kërkoj në vitin 2022 mos të jetë vit i njëjtë i kësaj logjike mbi të cilën e keni udhëheqë mazhorancën në këtë kuvend. Kërkoj konsensus më shumë me opozitën”, ka thënë ai.

    Arben Gashi i LDK-së e quajti absurd reagimin e shefes së GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës, ndasj opozitës dhe diskutimin me këtë të fundit, Gashi tha se pushteti po e bën të padinjitetshëm.

    “Më duket tepër absurd që kryetarja ta akuzojë opozitën dhe LDK-në pse ka kërkuar të respektohet rregullorja e Kuvendit. Kjo mënyrë e diskutimit me opozitën është e padinjitetshme. Për shkak të sjelljes dhe komunikimit në emër të LDK-së deklaroj që nëse sot i qitni në votim marrëveshjet ndërkombëtare ne do të votojmë kundër. Ky është kontributi juaj sot për qytetarët e Kosovës”.

    Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, i është kundërpërgjigjur opozitës e cila deklaroi se nuk do të votojë marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet seancë plenare.

    Ajo ka thënë se shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, vazhdimisht e ka bërë një “tradhti” të marrëveshjeve ndërkombëtare. Shtoi se opozita po i dëmton qytetarët me këtë vendim.

    E, Besnik Tahiri nga AAK tha se Kusari-Lila po gënjen dhe nuk po krijon konsensus me opozitën. Tha se Kusari-Lila po sillet ulët me grupet parlamentare.

    “Shefja e GP të LVV-së lëre që pa kurrfarë niveli kolegial e profesional del e rren në foltore mundohet me e përmbushë një agjendë të saj që në fakt nuk din me e bë. Nuk din të ndërtojë konsensus Mimoza Kusari. Po flet për qëndrime tjera është e vërtetë që në kryesi kemi folur për të mbajtur seanca të enjten por kjo ka mbetur qysh vendosin grupet parlamentare. Tash kërkon konsensus prej nesh dhe sillesh në formën më të ulët të mundshme si shefe e 61 deputetëve. Koalicionin me Listën Serbe e bëre ndërsa neve deputetëve të opozitës na e bjen në sabah agjendën për të futur projektligje”, tha Tahiri.

    Nga ana tjetër, Kusari-Lila tha se nuk dëshiron të përdorë “gjuhën që e përdori Tahiri dhe të sjellë standard të ri të keq të komunikimit mes shefave të grupeve parlamentare”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!