×
  • Lajme
  • Lajme

    Peach nuk vjen në Prishtinë këtë javë, nesër në Beograd

    Reporteri
    30 Gusht 2022 | 16:40

    Autor: Xhezair Dashi


    Emisari special britanik për Ballkanin Perëndimor,  Stuart Peach, të mërkuren shkon në Beograd, por nuk planifikon të vizitojë Prishtinën, së paku jo këtë javë, ka thënë ambasada britanike në Prishtinë për gazetën online Reporteri.net.

    “Zoti Stuart Peach nuk planifikon të vizitojë Prishtinën këtë javë”, tha një zëdhënës i ambasadës britanike në Kosovë për Reporteri.net.

    Stuart Peach nesër udhëton në Beograd, ku do të takohet fillimisht me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç.

    Siç raportoi e përditshmja serbe Danas, “pritet që temat kryesore do të jenë bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës, situata në Ballkanin Perëndimor si dhe marrëdhëniet mes Serbisë dhe Britanisë së Madhe”.

    Kjo do të jetë vizita e tij e dytë zyrtare në Beograd në kapacitetin e të Dërguarit Special të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor.

    Peach ishte në Prishtinë në shkurt të këtij viti, ku agjenda e emisarit ishte dominuar me çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Emisari shprehte gatishmërinë e Britanisë për të ndihmuar në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Sir Stuart Peach është emëruar si dërguar i Posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor në dhjetor të vitit 2021.

    Para kësaj detyre, ai ka qenë shefi i Komitetit ushtarak të NATO-s, pozitë të cilën e ka mbajtur nga viti 2018.

    Ai ka shërbyer më herët edhe si Shef i Shtabit të Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar.

    Në vitin 2000, Peach ka qenë edhe komandant i forcës ajrore të NATO-s në Kosovë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!