×
  • Lajme
  • Lajme

    Pendarovski në takim me Konjufcën shpreh mbështetjen për liberalizimin e vizave për kosovarët

    Reporteri
    15 Dhjetor 2021 | 12:25

    Kryeparlamentari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët e Kabinetit dhe i ngarkuari me punë në ambasadën e Kosovës në Shkup, Prindon Sadriu, priti sot në takim presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, shkruan Reporteri.net.

    Takimi me presidentin maqedonas, në të cilin u diskutua për aktualitetin politik, zhvillimet rajonale dhe mbështetjen reciproke në rrugën e integrimit evropian, u karakterizua nga një frymë e pajtimit të plotë mbi interesat e përbashkëta të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu u vlerësuan të mira marrëdhëniet e deritashme bilaterale dhe u ritheksua gatishmëria për thellimin e mëtejmë të këtyre raporteve miqësore.

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, falënderoi presidentin Pendarovski për mbështetjen e Maqedonisë së Veriut në proceset eurointegruese të Kosovës dhe shprehu gatishmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit ndërparlamentar, por edhe në sfera të tjera me interes të ndërsjellë, duke konsideruar se forcimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje i kontribuon zhvillimit dhe stabilitetit të rajonit.

    Nga ana e tij, presidenti Pendarovski konfirmoi mbështetjen e shtetit të tij për liberalizimin e vizave, rrugën e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përderisa shfaqi rezerva për nisma rajonale, duke u shprehur se “Ballkani i Hapur” mund të jetë pjesë e Procesit të Berlinit, por jo ta zëvendësojë atë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!