Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në periudhën 5 gusht – 1 dhjetor në Kosovë kanë vdekur 1.435 persona të infektuar me COVID-19, prej tyre 1.280 ishin të pavaksinuar apo 89 për qind, shkruan Reporteri.net.
MSH-ja ka bërë të ditura këto shifra, duke apeluar se vaksinat kanë rol kyç në parandalimit e infektimit, vdekjeve dhe shtrimeve në spital nga COVID-19.
Sipas MSH-së, kjo e dhënë tregon për rëndësinë e vaksinimit të plotë në frenimin e përhapjes së COVID-19, në parandalimin e infektimit me forma të rënda të sëmundjes dhe vdekjeve nga ky virus.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, që prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus në marsin e vitit 2020, deri më 12 dhjetor, në Kosovë kanë vdekur 2,987 persona.
Ndërkaq, sa i përket vaksinimit, me dy dozat e vaksinës janë imunizuar mbi 772 mijë qytetarë dhe me një dozë mbi 871 mijë persona.
Të drejtë vaksinimi në Kosovë kanë qytetarët mbi 12 vjeç. Ata mund të zgjedhin ndërmjet vaksinës AstraZenca dhe Pfizer/BioNTech – dy vaksina të miratuara për përdorim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane për Barna.
Në Kosovë ka nisur edhe imunizimi i qytetarëve me dozën përforcuese dhe dozën e tretë dhe ato mund t’i marrin personat mbi 18 vjeç.