×
  • Lajme
  • Lajme / Takimi i qershorit

    Përballja Kurti – Vuçiq dhe presioni për zbatimin e marrëveshjeve të arritura

    Reporteri
    21 Qershor 2024 | 20:01
    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq

    Nën trysninë për zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel dhe Ohër, udhëheqësia aktuale e Bashkimit Evropian është gati të organizojë një tjetër takim të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen më 26 qershor në Bruksel për të rifilluar bisedimet që kanë mbetur pezull që nga viti i kaluar.

    Hera e fundit që dy udhëheqësit u takuan ishte më 14 shtator 2022, ndërsa kryenegociatorët janë takuar shtatë herë për çështjen e dinarit. Takimi i ri është caktuar për të mërkurën e javës së ardhshme.

    Bllokimi i bisedimeve dhe tensionet e reja

    Nga sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, nuk ka pasur takime midis Kurtit dhe Vuçiqit. Kryeministri Kurti ka akuzuar drejtpërdrejt qeverinë e Vuçiqit për sulmin që la të vrarë policin Afrim Bunjaku, duke insistuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për këtë akt.

    Ndërkohë, Banka Qendrore e Kosovës mori vendimin për ndalimin e përdorimit të dinarit në Kosovë, vendim që shkaktoi protesta nga Beogradi dhe ndërhyrje nga BE për të ndërmjetësuar një zgjidhje për qytetarët e Kosovës që marrin paga dhe pensione nga Serbia. Emisari Miroslav Lajçak ka pritur shtatë takime të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë pa arritur ndonjë pajtim.

    “Fatkeqësisht, palët nuk ia dolën të arrijnë një marrëveshje. Unë jam gati të pres përsëri palët nëse ato tregojnë gatishmëri për të arritur një zgjidhje të përkohshme të pëlqyeshme reciprokisht,” tha Lajçak më 15 maj, pas takimit të fundit me kryenegociatorin kosovar Besnik Bislimi dhe atë serb Petar Petkoviq.

    Lajçak dhe misioni i tij

    Pas një pauze, Lajçak është kthyer me lajmin se mandati i tij është zgjatur deri në janar, derisa BE të ketë një kryediplomat të ri dhe më pas edhe një emisar të ri të dialogut. Në takimet e fundit që pati në Kosovë dhe Serbi, Lajçak nuk përmendi më çështjen e dinarit.

    Më 18 qershor, Lajçak u takua në Athinë me kryeministrin e ri serb, Millosh Vuçeviq, për të diskutuar gjendjen aktuale të dialogut dhe marrëdhëniet BE-Serbi. Në të njëjtën ditë, Lajçak erdhi në Prishtinë për të diskutuar me zëvendëskryeministrin Bislimi hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

    Një ditë më pas, në Serbi, Lajçak u takua me Vuçiqin dhe Petkoviqin. Me Vuçiqin ai tha se ranë dakord për hapat e ardhshëm, ndërsa me Petkoviqin diskutuan çështjet teknike aktualisht në agjendën e dialogut dhe nevojën për një takim të ri të kryenegociatorëve.

    Perspektivat e takimit të ri

    Nuk dihet nëse çështja e dinarit do të përmendet në Bruksel. Kryeministri Kurti kishte refuzuar zëshëm të diskutojë për rregulloren e BQK-së në kuadër të dialogut. Megjithatë, Lajçak ka bërë të ditur se disa çështje mund të zgjidhen vetëm në nivel liderësh, përfshirë zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit.

    Në anën tjetër, në LDK ka dyshime se Kurti mund të merret vesh për një aneks të ri me Vuçiqin në Bruksel. Deputeti Armend Zemaj ka bërë thirrje që Qeveria të mos bëjë gabime të reja në këtë proces.

    “Duket që ka hezitime edhe në BE për heqjen e masave, por unë besoj që kjo ndërlidhet edhe me takimin Kurti-Vuçiq të mërkurën. Mbetet të shihet sjellja dhe nëse ka ndonjë dakordim shtesë që unë nuk do ta dëshiroja dhe kërkojmë nga Qeveria të mos ketë gabime të përsëritshme, mos të ketë edhe ndonjë aneks marrëveshje tjetër”, tha Zemaj.

    Në pritje të takimit të së mërkurës, BE-ja mbetet e përkushtuar për të vazhduar punën në një nivel të lartë, duke kërkuar zgjidhje të qëndrueshme për të dyja palët.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!