×
  • Lajme
  • Lajme

    Përfshihen në agjendën e sotme edhe 12 projektligje për lexim të dytë

    Reporteri
    24 Dhjetor 2021 | 13:07

    Me propozim të mazhorancës, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë përfshirë edhe 12 projektligje për lexim të dytë në agjendën e seancës së sotme plenare.

    Partitë opozitare e kundërshtuan këtë mocion procedural, ku kritikuan shumicën se me miratimin e këtyre projektligjeve po dëshiron të bëjë vetëm statistikë. Ndihmë pushtetit për përfshirjen e këtyre projektligjeve në rend të ditës i dhanë edhe deputetët e Listës Serbe.

    Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se projektligjet kanë kaluar gjitha procedurat ligjore në Kuvend për të ardhur në seancë plenare.

    “Mocioni ynë ka të bëjë me përfshirjen e agjendës së ditës së sotme projektligje që janë të gatshme dhe kanë kaluar procedurat dhe raportet që kanë ardhur në seancë, janë projektligje në lexim të dytë. Tri projektligje kanë ardhur nga komisioni për ekonomi, tetë projektligje nga komisioni për shëndetësi dhe një nga komisioni për mjedis”, tha ajo.

    Por, kjo u kundërshtua nga shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se këto projektligje duhet të procedohen në mënyrë të rregullt përmes Kryesisë së Kuvendit.

    “PDK nuk e mbështet këtë mocion procedural dhe rrjedhimisht kërkojmë që të shkojnë në procedurë të rregullt që kryesia e Kuvendit të Kosovës t’i përcaktoj për seancën e radhës, Kam kërkesë edhe nga deputetët e PDK-së që kanë nevojë edhe për disa sqarime dhe konsultime shtesë dhe pastaj do i vendosim në kryesi dhe në seancën e radhës”, u shpreh Tahiri.

    Më kritiku u shpreh shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

    “Pse sot, 50 pika rendi i ditës me u bërë sot. Nuk po e kuptoj pse. Statistikë me plotësuar statistikën vjetore që ne i bëmë 50 ligje për një ditë. Kurrë s’ka ndodh në histori të Kuvendit me i ka kaluar 50 ligje për një ditë”, tha ai.

    Mos pajtim për përfshirjen e këtyre projektligjeve në rend të ditës shfaqi edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

    “Grupi parlamentar i AAK-së nuk e mbështet këtë pikë ne diskutuam për gati 30 minuta që të hyjnë katër ligje dhe kjo nuk ndodhi e rrugës dhe e mbarë kishte me qenë që në këtë lexim të dytë të lexohet Ligji I Pagave I cili nuk është shtyrë për këta 10 muaj po nuk ndodhi ajo që ne kërkojmë është që debatin parlamentar që e kemi kërkuar për çështjen më të rëndësishme dhe më me urgjencë që është gjendja energjetike në vend kjo të trajtohet dhe për këtë u dakorduam që mos të hyjë në këtë seancë ashtu siç e pata kërkesë që të jetë pika e parë por që të diskutohet në seancën e 28 dhjetori të martën e ardhshme si pikë e parë e rendit të dytës”, theksoi ai.

    Në mesin e votimeve, ka dështuar mocioni PDK-së për moszgjedhjen e drejtorit të AKK-së.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!