Komuna e Malishevës ka njoftuar se ka përfunduar gjendja e situatës emergjente në këtë qytet pas vërshimeve që u shkaktuan nga reshjet e shiut.
Në njoftim thuhet se vendimi është marrë sot, por se shërbimet emergjente mbesin në gatishmëri të shtuar, shkruan Reporteri.net.
“Ky vendim është marrë sot, pas mbledhjes së Shtabit Emergjent dhe vlerësimit të situatës në terren. Sipas të dhënave zyrtare, niveli i ujërave ka rënë dhe gjendja aktuale është stabile”, thuhet në njoftim.
Gjatë kësaj mbledhjeje, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, së bashku me anëtarët e Shtabit Emergjent, ka theksuar se situata ka qenë emergjente dhe është përcjellë me dëme të mëdha, veçanërisht në infrastrukturë, ekonomi familjare, biznese dhe prona private.
“Po ashtu, Kryetari Kastrati ka bërë të ditur se tashmë është formuar Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve, ndërsa ka ftuar të gjithë qytetarët e dëmtuar që të parashtrojnë kërkesat për vlerësim të dëmeve pranë Zyrës së Pritjes në Komunën e Malishevës”, thuhet në njoftim./Reporteri.net