×
  • Lajme
  • Lajme

    Përfundon takimi i ambasadorëve të QUINT-it me krerët shtetërorë

    Reporteri
    14 Janar 2022 | 13:38

    Ka përfunduar pas më shumë se një ore takimi i ambasadorëve të shteteve të QUINT-it, kryeministrit Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca, në ndërtesën e Presidencës së Republikës së Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    Ambasadorët nuk pranuan të tregojnë nëse e kanë bindur Kurtin lidhur me referendumin serb.

    Ky takim erdhi pas një komunikate të përbashkët të QUINT-it në të cilën kanë kërkuar që Kosova të lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë.

    Qeveria e Kosovës ka kundërshtuar organizimin e referendumit të Serbisë, derisa kanë theksuar se serbët me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë me postë apo edhe në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

    Më herët, QUINT-i dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejojë serbët në Kosovë të votojnë në referendumin kombëtar të Serbisë, në një deklaratë të përbashkët të tyre, për ratifikimin e ndryshimeve kushtetuese në Serbi.

    Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë mirëpritur këtë referendum, duke shtuar se reformat janë hap para drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane.

    Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Krasniqi ka thënë se Qeveria duhet të bashkërendojë veprime me ndërkombëtarët për të ofruar zgjidhje të përshtatshme.

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se LDK-ja e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër, në territorin e Kosovës. Abdixhiku përmes një statusi në Facebook ka thënë se presin mbështetjen dhe respektimin e normave që parasheh Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e po ashtu praktikat ndërkombëtare.

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!