Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është deklaruar pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke bërë të ditur se mes tyre nuk është arritur ndonjë marrëveshje për temat e diskutuara.
Hamza tha se në takim është diskutuar për situatën aktuale politike, procesin në Hagë, nevojën për miratimin e ligjit në Kuvendin e Kosovës, si dhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
“Kemi diskutuar për situatën aktuale politike që ka të bëjë me procesin që është zhvilluar në Hagë, me nevojën që ligji në procedurë të aprovohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe tema e zgjedhjes së presidentit”, deklaroi Hamza.
Ai tha se për Partinë Demokratike të Kosovës miratimi i ligjit është domosdoshmëri, ndërsa pas kësaj partia është e gatshme të diskutojë edhe për çështjen e presidentit.
“Për Partinë Demokratike të Kosovës, e dini që është nevojë, është domosdoshmëri aprovimi i ligjit dhe pastaj ne jemi të hapur që të diskutojmë për presidentin, me qëllim që vendit t’i japim president”, tha Hamza.

Megjithatë, kreu i PDK-së bëri të qartë se takimi me Kurtin nuk ka prodhuar marrëveshje.
“Nuk ka marrëveshje. Unë ju tregoj kur të ketë marrëveshje. Deri më tani nuk është që kemi marrëveshje për temat për të cilat kemi biseduar”, deklaroi ai.
Hamza nuk e përjashtoi mundësinë e takimeve të tjera me Kurtin, duke paralajmëruar se bisedimet mund të vazhdojnë në ditët e ardhshme.
“Është e mundshme që të kemi takime edhe ditëve në vijim”, tha Hamza.
Takimi mes Kurtit dhe Hamzës është zhvilluar në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës dhe ka zgjatur rreth një orë e gjysmë.