×
  • Lajme
  • Lajme

    Përkujtohen 86 të vrarët në Polac të Skenderajt

    Reporteri
    07 Prill 2019 | 15:53

    Në fshatin Polac të Komunës së Skenderajt, është mbajtur akademi përkujtimore për 86 të vrarët gjatë luftës së fundit në Kosovë.


    Në këtë 20-vjetor, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para të pranishmëve tha se do të jenë gjithmonë pranë familjarëve të atyre që humbën të afërmit.

    Ai ka thënë se Kosova duhet të jetë krenare me të kaluarën e saj.

    “Përderisa ne kujtojmë kështu të bashkuar martirët tonë, heronjtë tonë, luftën tonë, të jeni të sigurt se jemi në rrugë të drejtë të forcimit të shtetit tonë, të ndërtimit të së ardhmes, të zhvillimit tonë. Nuk do të ketë më kurrë, siç ka ndodhur në të kaluarën, izolim apo diskriminim për Drenicën”.

    “Do të ketë vetëm ecje përpara, do të ketë vetëm zhvillim, vetëm progres, do të ketë vetëm mirëqenie… Ne duhet të jemi krenarë me të kaluarën tonë, me dinjitet dhe integritet, ato vlera të UÇK-së që janë sublimimi i historisë tonë për liri dhe pavarësi, çdo ditë, çdo minutë, kudo që jemi t’i kultivojmë, t’i forcojmë dhe t’i bartim tek gjeneratat e ardhshme”, tha ai, raporton KTV.

    Edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se ndihen krenarë për luftën që ka bërë UÇK-ja.

    “Të jemi unik, ta duam njëri – tjetrin, të punojmë për këtë vend, për një të ardhme më të sigurt për fëmijët tanë, vetëm atëherë do të themi se kemi çuar në vend amanetin e dëshmorëve”, u shpreh ai.

    Në nderim të jetës dhe veprës së të dëshmorëve dhe martirëve të fshatit Polac, u bënë homazhe pranë varreve të tyre.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!