Një person ka pësuar lëndime trupore si pasojë e një përleshjeje fizike mes dy personave, e cila ka ndodhur sot në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit.
Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, Vlera Krasniqi, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës.
Sipas Krasniqit, rreth orës 14:35, Policia ka pranuar një informatë nga një qytetar lidhur me përleshjen, pas së cilës njësitet relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Viktima ka pësuar lëndime trupore, pasi është goditur me një mjet të mprehtë dhe ka pranuar trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkohë, i dyshuari është lokalizuar dhe arrestuar nga Policia, ndërsa është sekuestruar edhe mjeti i dyshuar që është përdorur gjatë incidentit.
Në koordinim me prokurorin e shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është duke u hetuar nga organet kompetente.