×
  • Lajme
  • Lajme / Thirrja amerikane

    Përveç vendimit për Manastirin e Deçanit, Escobar thotë se janë edhe dy kushte që Kosova duhet t’i plotësojë për anëtarësim në KiE

    Reporteri
    15 Mars 2024 | 14:03

    Emisari amerikan, Gabriel Escobar, vendimin për tokat rreth Manastirit të Deçanit e cilësoi si pozitiv, por tha se janë edhe dy kushte që Kosova duhet t’i plotësojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    “Është shumë pozitive. Është shumë e rëndësishme. Dhe, nuk ka të bëjë vetëm me Manastirin, megjithëse pjesërisht është, por ka të bëjë me përkushtimin ndaj sundimit të ligjit. Tani ju keni një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Në shoqëritë e pjekura demokratike, një vendim i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar. Dhe, kështu që duhej të zbatohej. Ishte një vendim i vështirë, por duhej bërë”, tha në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Pra, shton ai, “Kosova tani po tregon që ka pjekurinë për t’i pranuar rezultatet e një vendimi kushtetues, sado jopopullor të jetë. Por, është gjëja e duhur për t’u bërë sepse është gjëja ligjore që duhet bërë. Kështu që, do të ketë një efekt”.

    “Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, ka thënë emisari amerikan.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur para pak ditësh se qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për pronat e Manastirit të Deçanit, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë mospajtimesh me diplomacinë perëndimore rreth kësaj çështjeje.

    Vendimi u mirëprit menjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    I Dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pak minuta pasi Kurti njoftoi për vendimin, në një konferencë për media bashkë me presidenten Vjosa Osmani, emisari amerikan tha se ky hap që ndërmori sot Qeveria e Kosovës, ishte i domosdoshëm.

    “Dua të përmend se sa shumë është i rëndësishëm vendimi i sotshëm për Manastrin, ky ishte vendim i vështirë, por hap i domosdoshëm dhe i falënderojmë institucionet e Kosovës për këtë hap”, tha Escobar.

    Zbatimi i vendimit me të cilin Manastirit të Deçanit, i njihet e drejta e pronës në mbi rreth 24 hektarë tokë, nga ambasadorët e akredituar në Kosovës, u konsiderua si hap pozitiv në fushën e sundimit të ligjit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!