×
  • Lajme
  • Lajme / 4 Korriku

    Përvjetori i pavarësisë së SHBA-së e gjen Kosovën me marrëdhënie të ftohura nga “qëndrimet e njëanshme” të Kurtit

    Reporteri
    04 Korrik 2024 | 22:34

    Amerika ka festuar 248 vjetorin e Pavarësisë, 4 Korrikun, teksa marrëdhëniet me një nga aleatet e saja më të reja dhe më të qëndrueshme në Ballkan, Kosovën, janë në pikën më të ulët që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

    Marrëdhëniet janë ftohur pas veprimeve, sipas SHBA-së, të njëanshme të qeverisë së prirë nga Albin Kurti, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Një ditë para përvjetorit të pavarësisë së SHBA-së, ambasadori i saj në Kosovë, Jeffery Hovenier, ka përcjellë mesazh të qartë dhe të fortë drejt qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti, duke kritikuar qasjen e saj ndaj dialogut me Serbinë dhe çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Hovenier ka theksuar se drafti i propozuar nga BE-ja për Asociacionin nuk është një dokument jozyrtar, siç e ka cilësuar kryeministri Kurti.

    “Komentimi im i vetëm është se është dokument jozyrtar për aq kohë përderisa qeveria apo ndonjë ministri nuk e ka miratuar apo dekretuar. Pra, qartazi, ne presim që qeveria të ndërmarrë ndonjë veprim për ta dërguar atë në Kushtetuese”, tha Hovenier.

    Kjo çështje ka ndarë ndjeshëm dy vendet, me SHBA-në dhe BE-në që mbështesin draftin dhe Kosovën që ngurron të ndërmarrë hapa të mëtejshëm pa garanci të mëtejshme.

    Hovenier ka theksuar se ky dokument është dorëzuar nga një delegacion i lartë ndërkombëtar, përfshirë përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së, me besimin se “krijon një asociacion të komunave me shumicë serbe që i trajton të gjitha shqetësimet e ngritura”.

    Përkushtimi në dialog

    Në një intervistë në Klan Kosova, ambasadori Hovenier ka bërë thirrje për përkushtim më të madh në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, duke e cilësuar atë si rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe avancimit të Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

    “Ne absolutisht e besojmë se ky është fati i Kosovës dhe do të mbështesim plotësisht dhe me entuziazëm avancimin e saj në institucionet evropiane si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe institucionet euroatlantike”, tha ai.

    Kushtet e vendosura nga kryeministri Kurti për dialogun janë një tjetër pikë e fort e diskutuar. Hovenier ka shprehur se këto kushte vetëm sa pengojnë bisedimet ballë për ballë dhe nuk i përmbushin kriteret e angazhimit konstruktiv.

    “Çdo listë me kushte apo kërkesa që pengojnë bisedimet ballë për ballë, ka mundësi që nuk i plotëson të gjitha ato kritere”, tha ai.

    Shqetësimet për veprimet e njëanshme të qeverisë së Kosovës i ka shprehur SHBA-ja. Hovenier theksoi se SHBA-ja është e shqetësuar kur Qeveria e Kosovës zgjedh të ndërmarrë veprime të njëanshme për të vendosur sovranitetin në zona të ndjeshme, pa konsultime dhe koordinime të nevojshme me komunitetin ndërkombëtar dhe komunitetet e prekura.

    Porositë e Escobarit

    Në muajin mars, vizita e emisarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Kosovë shërbeu për të përçuar mbështetjen e SHBA-së për çuarjen përpara të çështjeve urgjente, por gjithashtu për të shprehur zhgënjimin me qeverinë e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti.

    Escobar gjatë qëndrimit në Kosovë ka thënë se është refuzuar për dinarin nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

    “Ka shumë zhgënjim me këtë qeveri të Vetëvendosje – jo vetëm në Uashington, por në Bruksel, në Romë, Berlin dhe Paris gjithashtu,” tha Escobar në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

    Escobar, shtoi se “Ne gjithmonë do të jemi miq të ngushtë të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi dallime me individë dhe me qeveri individuale”.

    Gazeta online Reporteri.net në fillim të marsit raportoi eksluzivisht, se Administrata amerikane ka limituar nivelin e bashkëpunimit dhe takimeve me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si ‘masë kufizuese’ ndaj tij. Shkak, moskoordinimi i përgjithshëm në çështjet që mund të ngadalësojnë apo rrezikojnë progresin në implementimin e marrëveshjeve të Brukselit, me Serbinë.

    Në raportimin e 7 marsit 2024, Reporteri.net, duke u thirrur në burime të besueshme diplomatike paralajmëroi se “porosi të qarta dhe të domosdoshme” për Qeverinë e Kosovës pritet të vijnë shpejtë nga SHBA-ja”. Të gjitha ato i solli, Gabriel Escobar në tre ditë qëndrimi në Prishtinë.

    “Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës me askënd administratën amerikane. Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia”, kishte thënë Escobar, i pyetur nëse SHBA po konsideron vendosjen e ndonjë mase ndaj Kosovës për shkak të veprimeve të Qeverisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!