×
  • Lajme
  • Lajme

    Petkoviç i reagon Kurtit: “Beogradi ishte konstruktiv, siç e konfirmoi edhe Christopher Hill”

    Reporteri
    24 Gusht 2022 | 15:31
    Zyrtari i një zyreje fiktive të ashtuquajtur "zyra për Kosovë" në qeverinë serbe, Petar Petkoviç

    Me deklaratën se targat status-neutrale ‘KS’ kanë qenë të vlefshme deri më shtator 2021, Kurti tregon se as nuk e di se për çfarë flet, reagoi kryenegociatori i palës serbe në dialogun Kosovë-Serbi, Petar Petkoviç, transmeton “Reporteri.net”.

    Në mënyrë, sipas tij, të njëanshme, Kosova i ka anuluar ato më 17 shtator 2020. “Një vit para skadimit të tyre dhe kur planifikohej të diskutohej kjo çështje e të gjendeshin zgjidhje”, tha zyrtari i zyrës së vetëquajtur për Kosovën në qeverinë serbe.

    Madje, siç supozon më tej ky zyrtar serb, “Kurti nuk ka të drejtë t’u lëshojë asnjë dokument serbëve të Kosovës”.

    “E vetmja vërtetë është që delegacioni i Beogradit i udhëhequr nga presidenti Vuçiç shkoi në Bruksel të përgatitur mirë, me zgjidhje konkrete, konstruktive dhe të qëndrueshme”, tha Petkoviç.

    Për t’i dhënë zë pohimit të tij, Petkoviç tha se “kjo edhe në mënyrë të paekuivokë u konfirmua mbrëmë nga ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill”.

    Kurti, sipas Petkoviçit, i refuzoi “histerikisht” secilën zgjidhje të ofruar nga Beogradi.

    Më tej ai vazhdoi t’i bëjë thirrje komunitetit ndërkombëtar “të arsyetojë me Albin Kurtin”, duke shtuar se “koha po mbaron dhe lajmërimet e tij për konflikt dhe përshkallëzim të krizës po bëhen edhe më të zëshme”.

    Cili është versioni i Kurtit për takimin në Bruksel?

    Një javë pas takimit të Nivelit të Lartë në kuadër të dialogut të Brukselit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u deklarua për përmbajtjen e negociatave të zhvilluara me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe fascilituesin evropian, Miroslav Lajçak, shkruan Reporteri.net.

    Kurti konfirmoi gjashtë-pikëshin e propozuar për një kornizë të përgjithshme të një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që të dielen Vuçiç e tregoi ta ketë kërkuar pala kosovare.

    Qëndrimi e tij negocues, ai e përkufizon si “jo dialog për hir të dialogimit” por dialog për normalizim të marrëdhënieve, me njohjen reciproke si bosht të saj.

    Serbia, tha Kurti, ishte e interesuar për hapa të vegjël e gradual, e jo për marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve.

    Lajçak, në anën tjetër, në një intervistë dhënë për BBC-në në gjuhën serb, tha se takimi nuk ishte i kotë, dhe se ka arsye të konsiderohet si pozitiv.

    Kjo ngase siç tha ai, ishte hera e parë që liderët flasin më në detaje dhe për herë të parë rreth asaj se si do të mund të dukej një marrëveshje finale, ndonëse qëndrimet e shprehura ishin diametralisht të kundërta.

    Në shpjegimin e tij rreth përmbajtjes së bisedimeve, Kurti tha se sa i përket dy masave të reja reciproke të qeverisë – zbatimi i të cilave do të fillojë më 1 shtator – Kosova nuk ka ndërmarrë asgjë që vetë Serbia nuk e ka nënshkruar.

    Çështja e lejeudhëtimeve në dhë nëpërmjet territorit të Kosovës për shtetasit serb, aplikohet nga Beogradi për shtetasin kosovarë me vite. Ndryshimi, tha ai, është se Serbia e ka zbatuar atë marrëveshje, ndërsa Kosova jo. Tani, tha ai, barazohet hesapi.

    Edhe sa i përket targave ilegale të lëshuara nga MPB-ja serbe – siç edhe kryenegociatori i palës serbe, në përpjekje për ta justifikuar veten, kishte thënë se ishte nënshkruar nga pararendësi i tij, Borko Stefanoviç – Kurti tha se ajo marrëveshje është në kuadër të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

    Kthim në targa status-neutrale KS, kryeministri u shpreh se nuk mund të ketë. Një, tha ai, sepse çështja e lëshimit të tyre ka skaduar, dhe dy, sepse Kosova është shtet i pavarur dhe s’mund t’ia mohojë statusin vetes.

    Në lidhje me konstatimin e ambasadorit amerikan, Christopher Hill, i cili tha se pala kosovare nuk ishte konstruktive, fleksibile dhe e gatshme të diskutojë për specifika, Kurti madje edhe e çoi edhe deri në ironozime.

    ““Unë atje kam qenë si kryeministër, nuk kam qenë as si polic, doganier, prokuror e as gjykatës e as shef i Kadastrit. Kam shkuar si kryeministër sepse pika e parë ka qenë elementet e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes finale”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë”, u shpreh ai.

    “Deklarata se ka pasë propozime nga njëra palë dhe gatishmëri për kompromis janë të pavërteta. Ne kemi qenë të hapur për diskutime në këtë drejtim, mirëpo pala serbe ka dalur nga ndërtesa. Për ne do të ishte më e mira eliminimi i plotë i dokumenteve të hyrje-daljeve, të mos i ketë as Serbia, as Kosova. Madje kemi hedhur edhe idenë që të njihen të gjitha dokumentet, pse të mos njihen”.

    Kurti, përveç kësaj, akuzoi Beogradin për retorikë luftënxitëse dhe artificiale.

    Në lidhje me apo jo zbatimin e masave të reja reciproke më 1 shtator, Kurti tha se janë dy skenarë. Ose të dyja palët të heqin lëshimin e dokumenteve hyrëse/dalëse, ose të dyja palët t’i lëshojnë po ato të njëjtat. Këtë, tha ai, Kosova e bën në frymën reciproke.

    Ndonëse takimi i fundit më 18 gusht në Bruksel u aranzhua pas dhe si pasojë e tensioneve të ngritua më 31 gusht në veri të vendit, pas rezistencës lokale atje për të pranuar masat e reja reciproke, Kurti tha se në takim nuk i diskuton masat e reja të qeverisë.

    Kurti, tha se në Bruksel, synon marrëveshje gjithëpërfshirëse, dhe jo vendimet e qeverisë së  tij./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!