×
  • Lajme
  • Lajme

    Petroviq i thotë Vuçiqit se nuk e ka votuar Ushtrinë e Kosovës sepse ishte në Paris

    Reporteri
    13 Mars 2019 | 16:36

    Kryetari i Partisë së Pavarur Liberale Serbe (SLS), Sllobodan Petroviq, përme një letre të hapur i është kundërpërgjigjur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas sulmeve publike që ky i fundit i bëri lidhur me votimin e tij për ushtrinë e Kosovës.


    Petroviq sqaron se ditën kur është bërë votimi ai ka qenë në Paris dhe jo në Kuvend.

    I pari i SLS-së, parti kjo e cila së fundi ka marrë drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë në Kosovë, pas shkarkimit të Nenad Rikallos nga Lista Serbe, ka akuzuar Vuçiqin se po justifikon dështimet e Listës Serbe duke e sulmuar atë si kryetar të SLS-së.

    “Unë mund të kthehesha muaj më herët për të numëruar të pavërtetat tuaja për mua, siç ishte ajo që unë isha në Kuvendin e Kosovës duke mbështetur formimin e Ushtrisë së Kosovës, megjithëse në atë ditë kur u votua për ligjet që kishin të bënin me Forcën e Sigurisë së Kosovës, isha në Paris, por shpresoj se kjo është e mjaftueshme për tani. Sinqerisht, mendova se pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, ju mësuat një mësim dhe se ju do të ndalonit të gënjeni për etiketimin dhe tërheqjen e objektivave për kundërshtarët tuaj politikë, por unë duket se kam gabuar në lidhje me të”, thotë Petroviq në letrën e tij drejtuar kreut të Serbisë.

    Ai ka demantuar pohimet e Vuçiqit se ka votuar pro platformës së Kuvendit të Kosovës për dialogun me Serbinë, duke thënë se ka abstenuar në seancë, gjë e cila është shumë lehtë e verifikueshme.

    Petroviqi po ashtu hedh poshtë pretendimet e Vuçiqit se ka bërë kuorum në seancën e Kuvendit të Kosovës me rastin e miratimit të platformës, duke thënë se atë ditë kanë qenë të pranishëm deputetë të mjaftueshëm, të cilët edhe pa praninë e tij do ta bënin kuorumin.

    Ndërsa, ka përsëritur se ministrja e re e Bujqësisë, Diana Zhiviq, nuk është organizatore e protestave “1 në 5 milionë” në Graçanicë, dhe se Vuçiqi nuk është duke thënë të vërtetën.

    Petroviqi ka siguruar presidentin serb Vuçiq se sikur SLS-ja të organizonte protesta në Graçanicë, do të merrnin pjesë mijëra njerëz dhe jo vetëm pesë-gjashtë sish. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!