×
  • Lajme
  • Lajme / Terren

    Pjesëtarët e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, të përgjegjshëm ndaj procesit të regjistrimit të popullsisë

    Autor:Selamir Qerimi
    07 Maj 2024 | 12:58
    Fotografi ilustruese, ASK

    Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundim të procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, pjesëtarët e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian po vazhdojnë ta kryejnë këtë obligim ligjor e shtetërorë. Ata që po e mbikëqyrin këtë proces flasin për gatishmërinë e plotë të qytetarëve për t’u regjistruar, kurse, përkundër mungesës së informimit të disa, pjesëtarë të komuniteteve po vazhdojnë të shfaqin interesim për bashkëpunim

    Emin Tahiri nga Fushë Kosova është pjesëtar i komunitetit Ashkali.

    Ai është njëri nga mijëra pjesëtarët e kësaj etnie që përafërsisht jetojnë në këtë komunë në qendër të Kosovës.

    Familja e tij pesë-anëtarësh tashmë e ka kryer obligimin ligjor e shtetëror, atë të regjistrimit të popullsisë.

    Përkundër që tregon se ka pas pak informacione rreth procedurës, kryefamiljari thotë se gjithçka ka shkuar më lehtë sesa e ka pritur.

    “Personalisht kam pas pak informacione rreth regjistrimit të popullsisë. Nuk i kam ditur shumë procedurat sesi si duhet të bëhet ky proces. Kur ka ardhë me na regjistru e kam pa se është shumë e lehtë. Normalisht që nuk kam hezitu me kry këtë proces. Jo veç unë, por edhe vëllezërit e mi që jetojnë ndaras. Të gjithë jemi regjistru”, shprehet ai.

    Tahiri që jeton me bashkëshorten dhe tre fëmijë në “Lagjen 29” inkurajon edhe pjesëtarët e tjetër të komuniteteve që ta bëjnë të njëjtën gjë.

    “I kisha bë apel krejt qytetarëve, edhe komshinjve të mi e po krejt komuniteteve që ta kryejnë këtë proces për më tregu qe edhe na si komunitete jemi pjesë e Kosovës edhe jemi të integruar në shoqëri”, thotë Tahiri.

    Në komunën e Fushë Kosovës – referuar statistikave të i vitit 2011 të ASK-së – jetojnë rreth 3 mijë e 230 Ashkali, 436 Romë dhe 282 Egjiptian.

    Qyshkur ka filluar procesi i regjistrimit, Armend Shala, nuk ka reshtur së komunikuari me bashkëvendësit e tij në Fushë Kosovë.

    Ai, tashmë është edhe i punësuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, si mbikëqyrës i procesit.

    Sipas tij, deri më tani, kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundim, janë regjistruar afërsisht 800 qytetarë të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

    “Qëkur ka nisur procesi i regjistrimit me 5 prill, kemi regjistruar përafërsisht 800 pjesëtar të komuniteteve. Në përgjithësi ka shkuar mirë dhe procesi është duke vazhduar normalisht”, thotë Shala.

    Tutje, 25-vjeçari flet edhe për vështirësitë qe po hasin gjatë punës së tyre.

    “Vështirësitë më të mëdha kanë qenë pjesa e dokumentacionit, ka pasur mungesa të tyre të disa qytetarë. Po ashtu kemi pas disa raste kur fëmijët kanë qenë të paregjistruar. Megjithatë, jemi mobilizuar duke shpërndarë fletushka nëpër lagje. Kemi shpërnda edhe letra njoftuese edhe po ashtu ka pas thirrje edhe përmes xhamisë”, thekson Shala.

    Komuna e Lipjanit është një tjetër vendbanim ku janë të përqendruara pjesëtarët e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

    Në komunën e Lipjanit – referuar statistikave të i vitit 2011 të ASK-së – jetojnë 1 mijë e 812 Ashkali, 342 Romë dhe 4 Egjiptian.

    Bajram Sharku është njëri nga romët që jetojnë në këtë komunë, përkatësisht në fshatin Magurë.

    Edhe ky thotë se e ka kryer procesin e regjistrimit.

    “Kur kanë ardh me na regjistru unë nuk kam qenë në shtëpi. Herën e dytë kam qëlluar në pushim edhe jemi marrë vesh që me ardh. Ka qenë një ditë një çikë edhe na ka regjistru. 20 minuta u kanë edhe e kemi kryer. Krejt procesi ka shkuar mirë. Shkurt dhe pa komplikime”, shprehet Sharku.

    Në këtë komune, regjistruese nga ASK-ja ka qenë Hamide Rexhepi.

    Ajo rrëfen sesi ka shkuar puna në terren.

    “Procesi i regjistrimit ka shkuar më mirë sesa e kam pritur. Kam trokitur derë me derë edhe jam pritur jashtëzakonisht mirë ku jam falënderuese ndaj komuniteteve për mikpritjen. Nuk kam pasur vështirësi sepse komunitetet kanë qenë veçse të informuar. Por ne kemi shpërndarë edhe fletushka, dhe deri më tani janë regjistruar rreth 80 familje”, thotë Rexhepi.

    Deri më një maj, sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës është arritur numri prej 1,204,560 persona të regjistruar në krejt Kosovën.

    “Deri më tani procesi është duke i afruar fundit. Nuk kemi telashe në aspekin profesional dhe në teren. Nuk kemi refuzime të mëdha të qytetarëve dhe ato pak që janë pas disa diskutimeve po zgjidhen. Disa komuna kanë qenë shumë aktive dhe kanë zhvilluar të gjitha aktivitetet por ka dhe disa komuna që nuk kanë qenë shumë aktive. Edhe dhjetë ditë kanë mbetur deri në përfundim të procesit. Deri më tani, deri më dje (06.05.2024) janë regjistruar 1,204,560 qytetarë, tregoi Ushtruesi i detyrës së Kryeshefit ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati.

    Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë ka filluar me 05 prill 2024 dhe vazhdon deri më 17 maj 2024.

    *Ky artikull u realizua nga platforma mediale “Factorial“, për dhe në kuadër projektit të gazetës online Reporteri.net “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes Edukimit Medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”, i financuar përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Autori i këtij artikulli është një prej gjashtë (6) të rinjve të komuniteteve jo-shumicë në Kosovë që po përgatiten si gazetarë të ardhshëm profesionistë, përmes këtij projekti. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit. 

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!