Komisioni Evropian po harton plane për t’u dhënë vendeve kandidate për anëtarësim në BE përfitime ekonomike edhe para se ato t’i bashkohen bllokut, ndërsa qeveritë po kërkojnë mënyra për të përshpejtuar procesin e zgjerimit pa ulur kriteret për anëtarësimm.
Këto propozime janë pjesë e nismës së Komisionit për “integrim gradual”, e cila synon të shpërblejë vendet kandidate me qasje më të madhe në Bashkimin Evropian, ndërsa ato zbatojnë reformat e nevojshme dhe aplikimet e tyre për anëtarësim janë ende në proces shqyrtimi, raporton “POLITICO“, duke iu referuar dy zyrtarëve me njohuri mbi diskutimet e brendshme.
Sipas artikullit, përfitimet që po shqyrtohen përfshijnë qasje në disa programe financimi të BE-së, marrëveshje preferenciale tregtare dhe qasje të pjesshme në tregun e përbashkët evropian para anëtarësimit të plotë, përcjell Reporteri.net.
Paketa konkrete e përfitimeve do të përshtatet sipas progresit të secilit vend kandidat. Sipas “Politico”, qëllimi është që vendet kandidate të mbeten në rrugën e reformave, duke u ofruar stimuj për të zbatuar reforma politikisht të vështira, edhe nëse anëtarësimi i plotë në BE mbetet ende disa vite larg.
Ndryshe nga idetë e mëparshme për “zgjerim të përmbysur”, të cilat do t’u jepnin vendeve kandidate të drejta politike përpara përfundimit të procesit të anëtarësimit (një plan që u hodh poshtë nga kryeqytetet e vendeve të BE-së), integrimi gradual do të ofronte përfitime ekonomike të ngjashme me ato të shteteve anëtare, pa i përfshirë vendet në Bashkimin Evropian përpara se ato të konsiderohen të gatshme për anëtarësim.
Ky propozim tashmë gëzon më shumë mbështetje politike sesa planet e mëparshme. Franca dhe Gjermania – dy shtetet më me ndikim në BE – kanë mbështetur më herët ide të ngjashme për një “anëtarësim të pjesshëm” për vendet që përballen me procese të gjata të anëtarësimit. Zyrtarët janë optimistë se kjo qasje do të jetë më e pranueshme për shtetet anëtare sesa skemat e mëparshme.
“Duhet të ketë një integrim ekonomik paralel, por të domosdoshëm,” tha Petras Auštrevičius, eurodeputeti lituanez që hartoi strategjinë e Parlamentit Evropian për zgjerimin.
“Parimi ‘sa më shumë përparim, aq më shumë përfitime’ është testuar mirë dhe duhet të përqafohet për të mbështetur ata kandidatë që ecin më shpejt se të tjerët.”
Komisioni Evropian do të kërkojë mbështetjen e shteteve anëtare për këtë nismë, ndërsa zyrtarët shpresojnë që liderët e BE-së të miratojnë punën për një kornizë më të gjerë gjatë një samiti të Këshillit Evropian, që pritet të mbahet në tetor ose dhjetor.
Sipas planit, qasja në këto përfitime do të jepet rast pas rasti, në varësi të shkallës së përafrimit të secilit vend me legjislacionin e BE-së dhe numrit të reformave që ai ka zbatuar, tha një zyrtar. Kjo do të përbënte një ndryshim të rëndësishëm nga sistemi aktual, sipas të cilit shumica e këtyre përfitimeve janë të rezervuara vetëm për shtetet që janë anëtare të plota të Bashkimit Evropian.
Kjo qasje synon gjithashtu të mbajë plotësisht të angazhuara në proces vendet kandidate, si Ukraina, anëtarësimi i së cilës ka gjasa të zgjasë me vite, pavarësisht mbështetjes së fortë politike që gëzon, pa u premtuar atyre anëtarësim të shpejtë.
Megjithatë, përparimi në reformimin më të gjerë të procesit të zgjerimit ka munguar. Edhe pse liderët e Bashkimit Evropian ranë dakord në një samit në Mal të Zi, më herët gjatë këtij muaji, se procesi i anëtarësimit duhet të përshpejtohet, diskutimet se si mund të arrihet kjo kanë humbur vrullin që prej atëherë.
Aktualisht, Bashkimi Evropian ka nëntë vende me status zyrtar kandidati. Mali i Zi konsiderohet gjerësisht si kandidati më i avancuar për anëtarësim, ndërsa Ukraina dhe Moldavia kanë hapur negociatat e anëtarësimit. Vende të tjera, përfshirë Serbinë, Turqinë dhe Gjeorgjinë, kanë mbetur të bllokuara në procesin e tyre të aplikimit.
Megjithëse integrimi gradual synon ta bëjë procesin e anëtarësimit më tërheqës, si Ukraina ashtu edhe Mali i Zi kanë kundërshtuar konceptin e “anëtarësimit të pjesshëm” të propozuar nga Franca dhe Gjermania, duke argumentuar se ai nuk duhet të shndërrohet në një zëvendësim të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Meqenëse propozimet e mëparshme të Komisionit Evropian për “zgjerimin e përmbysur” nuk arritën të siguronin mbështetjen e vendeve anëtare të BE-së, komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, tha se tani u takon qeverive të vendosin se si do të çojnë përpara këtë debat.
Kancelari gjerman Friedrich Merz është ndër liderët që po shtyjnë për qasje alternative dhe kishte planifikuar ta ngrinte këtë çështje në samitin e Këshillit Evropian javën e kaluar. Megjithatë, sipas tre zyrtarëve, rendi i ditës u zgjat përtej parashikimeve, duke mos lënë kohë për një diskutim të mirëfilltë mbi këtë temë. Tani pritet që liderët t’i rikthehen kësaj çështjeje në takimin e tyre të tetorit.
Një diplomat i përfshirë në bisedime tha se zyrtarët po përpiqen të kompensojnë një “dekadë të humbur” në reformimin e procesit të zgjerimit, duke kapërcyer njëkohësisht rezistencën e qeverive që këmbëngulin se vendet kandidate duhet të përmbushin reforma të mirëfillta dhe domethënëse përpara se të anëtarësohen.
Marta Kos i tha POLITICO më herët gjatë këtij muaji se Komisioni Evropian po zhvillon gjithashtu mekanizma të rinj mbrojtës, të cilët do të jenë shumë të rreptë nëse vendet që anëtarësohen në të ardhmen bëjnë prapakthim në fushën e demokracisë ose të shtetit të së drejtës pas anëtarësimit. Ky është një tjetër përpjekje për t’i bindur qeveritë e vendeve anëtare se Bashkimi Evropian mund ta përshpejtojë procesin e zgjerimit pa dobësuar standardet dhe kriteret e tij./Reporteri.net