×
  • Lajme
  • Lajme

    Polemikë rreth cilësisë në arsim mes Qalajt dhe Nagavcit: Dukagjin Pupovci dhe Arbërie Nagavci, përgjegjës kryesorë për cilësi të dobët në arsim

    Reporteri
    15 Shtator 2022 | 15:51
    Ministrja e Arsimit. Arbërie Nagavci - Zv/ministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci - Deputeti i Partisë Demoratike të Kosovës, Rashit Qalaj

    Çështja e literacisë së mësimdhënësve ka prodhuar një polemikë në seancën e parë vjeshtore të punimeve të Kuvendit të Kosovosëd mes ligjvënësit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalajt dhe ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Vënia në pikëpyetje e alfabetizmit, përkjatësisht analfabetizmit, të mësimdhënësve, Rashit Qalaj tha se erdhi nga “eksponentë të afërt me qeverinë dhe ministrinë e arsimit dhe përfitues të fondeve të ministrisë apo partnerët të ministrisë me projekte të ndryshme arsimore”.

    “Por, ju zonja ministre, me heshtjen dhe mosdistancimin tuaj nga akuzat, fyerjet dhe etiketimet ndaj mësimdhënësve, sikur e keni legjitimuar padronitetin që keni në këtë fushatë të ndyrë, e që për synim ka demonizimin e figurës së mësidhënësve”, tha Qalaj.

    Qalaj argumentoi se ministrja ka qenë dashur të dalë në mbrojtje të figurës së mësimdhënësve, nga siç e quajti, “fushatë e ndyrë”.

    “Sepse askush më shumë se ju nuk është dashur t’i mbrojë mësidhënësit”, u shpreh Qalaj.

    Përgjigja e Nagavcit, ndonëse nuk preki në detajet që identifikoi Qalaj, ishte se ajo respekton masën më të madhe të mësuesve. “Sa i përket mësimdhënësve, respekt dhe mirënjohje për pjesën dërmuese të tyre”, tha ministrja.

    Por, sipas saj, është për “keqardhje situata që na kanë sjellë ndërhyrjet brutale, në radhë të parë të PDK-së”.

    Për cilësi në arsim, nëse ajo është e dobët siç është paraqitur, Qalaj tha sa vetë ministrja Nagavci ka përgjegjësi të drejtëpërdrejtë.

    “Sot jemi dëshmitar që sindikata akuzohet edhe për cilësi në arsim. Jo, ministre. Ju e dini mirë që kjo është komptenecë e ministrisë e jo e sindikatave. Ju vetë keni qenë partnere e trajnere në projekte të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, prandaj ju edhe jeni një nga përgjegjëset e nivelit të cilësisë në arsim”, u shpreh deputeti i PDK-së.

    Një tjetër figurë me rëndësi për të identifikuar çështjen e cilësisë në arsim, është zv/ministri i arsimit i Qeverisë Kurti II, tha Qalaj.

    “Sepse përkundër që në këto projekte jeni paguar me dhjetëra mijëra euro, ju vetë konstatoni se nuk ka cilësi. Nuk duhet harruar këtu se Qendra për Arsim e Kosovës (Kosovo Education Center), e cila për dy dekada është udhëhequr nga zv/ministri i juaj, zoti Dukagjin Pupovci, ka përfituar projekte në fushën e arsimit, e sidomos projekte ndërkombëtare afërsisht 50 milionë”.

    “Janë të pakëta projektet ndërkombëtare që kanë ardhur e nuk kanë kaluar nga zyra e Pupovcit. E në shumë prej këtyre projekteve ju keni qenë e angazhuar si eksperte dhe trajnere”.

    “Ju dhe zoti Pupovci keni trajnuar e menaxhuar trajnimin e pothuajse të gjithë mësimdhënësve dhe logjikisht i bie se i njihni shumicën prej tyre. Prandaj, gjejeni guximin dhe deklarohuni se a janë 70% e mësimdhënësve analfabetë, ashtu siç po deklarojnë partnerë të MAShT-it dhe qeverisë”, raporton gazeta online Reporteri.net.

    “Heshtja e juaj, dhe e rrethit tuaj sikur thotë se ju qëndroni para kësaj fushate. Ju vazhdoni të bashkëpunoni me këta individë që fyejnë, etiketojnë dhe shantazhojnë mësimdhënësit. Sepse po të njëjtit janë anëtarë të të gjitha komisioneve dhe grupeve që ministria ka formuar e po fformon në vazhdimësi”, tha mes tjerash deputeti i PDK-së.

    Rashit Qalaj u shpreh me bindje të plotë se nuk ka asnjë dokument strategjk që është punuar nga Ministria e Arsimit e që nuk është menaxhuar nga Qendra e Kosovës për Arsim e udhëhequr nga zëvendëminstri aktual i arsimit Dukagjin Pupovci.

    Zv/ministrin Pupovci, Qalaj e cilësoi si njërin prej akterëve që ka më së shumti përgjegjësi për dështimin e cilësisë. “Sepse për këtë ka përfituar dhjetëra miliona euro dhe e keni zëvendës tuajin. Dhe, cila është zgjidhja?”, konkludoi deputeti i PDK-së. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!