×
  • Lajme
  • Lajme

    Policia apel: Mos u jepni lëmoshë fëmijëve në rrugë

    Reporteri
    16 Prill 2019 | 16:02

    Policia e Kosovës ka realizuar sot një plan operativ lidhur me identifikimin e fëmijëve si viktima të mundshme të trafikimit me njerëz, shkruan Reporteri.net.


    Sipas një njoftimi të policisë gjatë këtij plani, janë identifikuar 23 persona të cilët kanë qenë duke kërkuar lëmoshë, 9 prej të cilëve kanë qenë fëmijë.

    Lidhur me këtë janë inicuar katër raste për veprën penale ‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’ dhe është ngritur kallëzim penal ndaj 5 të dyshuarve, prindër të këtyre fëmijëve.

    Policia e Kosovës ka bërë apel qytetarëve që mos të iu japin lëmoshë fëmijëve në rrugë.

    Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të Policisë së Kosovës:

    Policia e Kosovës zbaton planin operativ “Identifikimi i fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit me njerëz”

    Bazuar në informatat dhe situatën aktuale me fëmijët që kërkojnë lëmoshë apo edhe kryejnë punë të tjera jo të përshtatshme për moshën e tyre, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ) në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale, Prishtinë, me datën 15 prill 2019 ka realizuar një operacion policor, ku për qëllim ka pasur marrjen e veprimeve proaktive dhe largimin e personave/fëmijëve lëmoshë-kërkues nga rrugët, verifikimin e situatës së tyre nëse të njëjtit janë viktima të ndonjë forme të trafikimit si dhe ofrimit të mbrojtjes dhe asistencës për ata fëmijë.

    Nga veprimet operative në terren janë identifikuar gjithsej 23 persona duke kërkuar lëmoshë, prej tyre 9 kanë qenë fëmijë ndërsa 14 kanë qenë të rritur.

    Pas hetimeve dhe verifikimit të situatës të personave të identifikuar nga DHTQNJ dhe në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë janë inicuar 4 raste për veprën penale ‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’ dhe është ngritur kallëzim penal ndaj 5 të dyshuarve, prindër të këtyre fëmijëve.

    Të gjithë fëmijët e identifikuar janë trajtuar sipas procedurave standarde dhe janë referuar në QPS-së për trajtim të mëtutjeshëm.

    Apelojmë tek të gjithë qytetarët që mos t’u japin lëmoshë këtyre fëmijëve që janë në rrugë, sepse me atë veprim vetëm të njëjtit stimulohen për të kërkuar lëmoshë dhe kjo i dëmton ata fëmijë. Humaniteti qytetar mund të shprehet në shumë forma tjera. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!