Policia e Rajonit të Prishtinës ka intensifikuar përpjekjet për parandalimin e zjarrvënieve në zona fushore dhe malore, duke zhvilluar takime me institucionet kompetente dhe komunitetin.
“Përveç takimeve, po organizohen aktivitete informuese, ku përmes shpërndarjes së fletëpalosjeve synohet ndërgjegjësimi i qytetarëve”, thuhej në një njoftim.
Aktivitetet po zhvillohen në të gjitha zonat e rajonit të Prishtinës dhe deri tani nuk është raportuar asnjë rast zjarrvënieje.
Policia e Prishtinës ka apeluar që të raportohet çdo incident zjarri në numrat emergjentë, teksa ua ka bërë me dije qytetarëve se zjarrvënia është vepër penale e ndëshkueshme me ligj.