×
  • Lajme
  • Lajme

    Politika e jashtme në rënie të lirë, thotë Hoxhaj

    Reporteri
    06 Shtator 2022 | 11:02
    Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj

    Politika e jashtme e Kosovës është në rënie të lirë, u ankua ish-kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Që nga njohja e fundit nga shteti i Izraelit që buroi nga Marrëveshja e Uashington-it, atëbotë në qeverinë Hoti, Hoxhaj tha se u bënë dy vite të asnjë lëvizje tjetër.

    “Sot, Kosova bëri dy vjet pa asnjë njohje, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, asnjë partneritet bilateral, asnjë marrëveshje me BE-në! Kjo është politika e jashtme e rënies së lirë!”, shkroi Enver Hoxhaj në Facebook.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës këtë vit, ndërsa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lajmëruar se më së largu deri në Krishtlindje, do të aplikojnë për statusin e vendit kandidat edhe në BE.

    Ndonëse një prosopekt i tillë për BE-në, është më problematik, duke qenë se pesë shtete të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

    Gjithashtu, një mundësi e mirë e njohjes nga Greqia u interpretua të jetë shpenzuar huq, e që sipas njohësve të çështjeve diplomatike, kishte të bënte me politikat energjetike të gazit, por që Kosova u tërhoq nga ai projekt.

    Kosova mbetet jashtë BE-së, jashtë NATO-s, jashtë OKB-së, dhe jashtë shumë organizatave të rëndësishme ndërkombëtare.

    Serbia, në anën tjetër, ka vazhduar lobimin për çnjohjen e Kosovës, për çka kanë thënë se kanë siguruar edhe katër e më shumë çnjohje të reja, ndonëse kanë thënë se nuk i bëjnë të ditura emrat.

    Statusi i Kosovës në nivelet më të larta ndërkombëtare mbetet ende i lidhur me dialogun me Serbinë, nga e cila kërkohet një marrëveshje përfundimtare, përmes të cilës Kosova do të shkonte drejt përkryerjes dhe finalizimit të shtetësisë së saj.

    Pesë shtetet e BE-së kanë argumentuar se çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës do ta trajtojnë varësisht nga rezultatet e dialogut Kosovë-Serbi, por se deri atëherë nuk e njohin.

    Në anën tjetër, aktiviteti diplomatik kosovar, nuk është parë të ketë korrur ndonjë rezultat me ardhjen në krye të shërbimit të jashtëm të ministres Donika Gërvalla./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!