×
  • Lajme
  • Lajme

    Pozitë e opozitë përplasen kush të kërkojë falje për rrymën

    Reporteri
    24 Dhjetor 2021 | 16:56

    Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës u diskutua fare shkurt edhe çështja e krizës energjetike nga deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, dhe deputeti i VV-së, Artan Abrashi.

    Tahiri në debat e sipër për marrëveshjet ndërkombëtare, i tha Abrashit se krizë energjetike ka pasur edhe në vitet e kaluara, por sipas tij, ka pasur edhe menaxhimi më efikas nga qeveritë.

    “Gjithmonë ka pas kriza energjetike, edhe para dy vite, edhe para tri vite, por ka pas menaxhim më efikas, Qeveri më efikase. Kemi probleme të mëdha me efikasitetin e Qeverisë, shumë probleme. Qytetarët po qëndrojnë me orë të tëra pa rrymë”, ka thënë Tahiri.

    Abrashi iu kundërpërgjigj duke u shprehur se ishte pikërisht partia e Tahirit që vendosi ta shiste KEK-un për 26 milionë euro, e sipas deputetit të VV-së, kjo është njëra nga arsyet pse po ndodh kjo krizë.

    “Ju si PDK e keni mundësinë për herë të parë t’i kërkoni falje popullit për shitjen e KEK-ut për 26 milionë euro. Pikërisht është kjo një nga arsyet se po ndodh kjo krizë. Në vend se të merrni me mua, merruni me pasojat e veprimeve tuaja dhe kërkoni falje se është njerëzore. E a do t’iu falë populli, nuk e besoj”, deklaroi Abrashi.

    E rreth çështjes së krizës energjetike, Kuvendi pritet të diskutojë më gjerësisht të hënën.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!