Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje për njohjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, derisa ka shtuar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet t’i dënojë sulmet e 24 shtatorit, transmeton Reporteri.net.
Gjatë një konference për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Tiranë presidenti Macron ka thënë se dënimi i sulmit nga Vuçiqi kontribuon në rikthimin e qetësisë në veri.
“E dini që ne ndjekim me vigjilencë tensionet që ekzistojnë mes Serbisë dhe Kosovës. Franca e Gjermania kanë bërë udhërrëfyes që është i mirë e presim të respektohet nga dy palët. Mendoj se është përgjegjësia e Vuçiqit të dënojë aktet e 24 shtatorit sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë në veri”, ka deklaruar ai.
Sipas presidentit francez, Emmanuel Macron, autoritetet e Kosovës dhe të Serbisë duhet t’i riorganizojnë zgjedhjet në veri dhe të sigurohet pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje.
“Presim nga autoritetet serbe e kosovare për riorganizim të zgjedhjeve, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, njohjen e asociacionit plotësisht dhe totalisht. Pres që Vuçiqi të jetë përgjegjës dhe pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar. E them me qartësi ju kemi besuar për vizat, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respekt për fjalën e dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që palët të ecin përpara dhe është kushti i paqes në të gjithë zonën”, ka shtuar ai.
Për Asociacionin, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013 – në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve – por ajo nuk është zbatuar kurrë.
Në vitin 2015, palët janë pajtuar për parimet e tij, por po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se një pjesë e madhe e tyre janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Në Serbi insistojnë në kompetenca të gjera për Asociacionin, ndërsa në Kosovë thonë se të tillat do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.
Së voni, bashkësia ndërkombëtare ka rritur trysninë mbi Kosovën, duke i kërkuar që të mos vonohet më me formimin e Asociacionit.
Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kritikuar ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve për anshmëri dhe ka thënë se Kosova nuk do të pranojë kushte për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, pa u zyrtarizuar njohja de-facto e Kosovës nga Serbia.
Ndërkohë, BE-ja i ka mbajtur në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe është duke shqyrtuar vendosjen e masave ndaj Serbisë, nëse dëshmohet lidhja e saj me sulmet e fundit në Banjskë në veri të Kosovës, më 24 shtator, ku u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Në përleshjet që pasuan mes grupit të armatosur dhe Policisë së Kosovës , u vranë tre sulmues.
Kosova e akuzoi Serbinë se tentoi ta “aneksojë tërë veriun e Kosovës” gjatë sulmit në Banjskë, përgjegjësinë për të cilin e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deriatëhershëm i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ndërsa Serbia i mohoi akuzat./Reporteri.net
BE-ja konfirmon vizitën e pesëshes në Kosovë dhe Serbi – kërkon përparim konkret