×
  • Lajme
  • Lajme

    Presidentja i reagon Borrellit: Ajo që pamë sot nga ju ishte njëanshmëri, e akomoduat agresorin

    Reporteri
    21 Nëntor 2022 | 20:42

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas deklaratës së  Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borell, të cilin e ka akuzuar për njëanshmëri, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Osmani ka thënë se sikur Borrell “t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit”, në vend se ta akuzonte Kosovën, do t’ia përmende Serbisë ndonjë prej marrëveshjeve të shkelura të Brukselit.

    “Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën”, ka shkruar Osmani.

    Në fund, Osmani ka thënë se Kosova asnjëherë nuk do të heq dorë nga qëllimi i qartë për paqe e stabilitet afatgjatë si dhe rend e ligj në tërë territorin e saj.

    “Paqja dhe stabiliteti nuk mund të arrihen duke akomoduar ata që kanë ambicie hegjemoniste. Por, Kosova asnjëherë nuk do të heq dorë nga qëllimi i qartë për paqe e stabilitet afatgjatë si dhe rend e ligj në tërë territorin e saj”, ka shkruar Osmani.


    Ndryshe, pas përfundimit të takimit trilateral BE-Kosovë-Serbi, Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politkë të Jashtme, Josep Borell, deklaroi se ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ai cili nuk u pajtua me propozimet e BE’së për një zgjidhje për rrugën para për çështjen e targave, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiç e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, tha Borrell.

    “Sundimi i ligjit nuk duhet të shërbejë si pretekst për tensionim dhe eskalim të situatës”, ka thënë Josep Borrell në konferencë për shtyp, derisa e fajësoi, siç tha ai, “në veçanti Kosovën” për mosrezultat.

    “Pas takimit shumë orësh, tetë orësh, palët nuk u pajtuan për zgjidhje”.

    Borrell, megjithatë, i kërkoi Kosovës “suspendim të menjëhershëm” të fazave të reja të zbatimit të vendimit për targat, përkatësisht masën e gjobitjes, ndërsa Serbisë i kërkoi ndalimin e lëshimit të targave të reja “KM”.

    Mes tjerash ai tha se “ishin afër” që kjo marrëveshje të arrihej, por për “arsye të ndryshme” nuk u arrit.

    Shefi i diplomacisë evropiane gjithashtu tha se “ndonëse kjo mund të dërgojë sinjal negativ”, sipas tij, “ishte veçanërisht Kosova” ajo e cila nuk po i përmbush obligimet ligjore ndërkombëtare.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!