×
  • Lajme
  • Lajme

    Presidentja Osmani në Samitin për Demokraci prezanton tri zotimet e Kosovës

    Reporteri
    09 Dhjetor 2021 | 16:10

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, sot më 9 dhjetor hapi punimet e Samitit për Demokracinë, një ngjarje e organizuar në mënyrë virtuale, ku po marrin pjesë liderët e 110 shteteve, shkruan Reporteri.net.

    Në këtë samit, ku po merr pjesë edhe Kosova, pjesëmarrësit po bëjnë zotime të reja ndaj demokracisë.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, paraqiti zotimet kryesore të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e autokracive, fuqizimit të rolit të grave në shoqëri dhe krijimin e mekanizmave për të siguruar zbatimin e zotimeve.

    “Po ju drejtohem si Presidente e Republikës së Kosovës, një nga demokracitë më të reja por edhe më aktive në botë. Së shpejti, Kosova do të shënojë 14 vjetorin e pavarësisë, por regjimet autoritare dhe gjenocidale i kemi luftuar për një kohë shumë më të gjatë se kaq. Demokracia është në themelet e shoqërisë sonë, ajo është e rrënjosur thellë në luftën tonë historike për liri dhe të drejtat e njeriut. Dhe, siç e parashikoi ati ynë themeltar, Presidenti Rugova, Republika jonë mbështetet fuqishëm në tri shtylla: liri, pavarësi, demokraci”, tha Osmani.

    Sot, shtoi ajo, Kosova vazhdon të përparojë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, me tranzicion paqësor të pushtetit, liri të pacenuar të mediave dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut të vulosura në kushtetutën tonë.

     

    “Por, Demokracia nuk është kurrë një projekt i përfunduar apo i kufizuar në kohë. Andaj sot, do të paraqesë zotimet e Kosovës për forcimin dhe zhvillimin e demokracisë sonë për të siguruar që ajo t’i rezistojë kohës. Ne do të: Forcojmë sundimin e ligjit përmes zbatimit të plotë të Strategjisë Kombëtare për Sundim të Ligjit, dhe një procesi të vettingut i cili do t`i rrënjosë integritetin, paanshmërinë dhe profesionalizmin në zemër të sistemit tonë të drejtësisë. Ne zotohemi për miratimin dhe zbatimin e legjislacionit të avancuar për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, vendosjen e ndalimit të udhëtimit për individët e huaj të përfshirë në abuzime të rënda të të drejtave të njeriut, ndalimin e financimit të qeverive të huaja për partitë politike dhe ndalimin e institucioneve publike që të përdorin teknologji të vëzhgimit nga prodhues jo të besueshëm. Forcojmë rolin e gruas në shoqërinë tonë duke iniciuar veprime për harmonizimin e të gjitha ligjeve përkatëse me dispozitat e ligjit për barazinë gjinore, për të garantuar vendin e duhur të gruas në institucionet publike dhe rolet vendimmarrëse. Ne gjithashtu do ta miratojmë një strategji kombëtare të guximshme kundër dhunës me bazë gjinore për ta zbatuar Konventën e Stambollit, për ta frenuar këtë epidemi përmes parandalimit dhe mbrojtjes dhe duke i rritur dënimet minimale për të pasqyruar peshën e rëndë të krimeve me bazë gjinore”, tha Osmani.

    Osmani tutje tha se “do ta themeloj një Këshill Presidencial për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, i cili do të bashkojë institucionet publike dhe shoqërinë civile për të shtyrë përpara dhe monitoruar zbatimin e zotimeve tona. Ky këshill tregon përkushtimin tonë afatgjatë për ta përmirësuar demokracinë tonë”.

    “Ne nuk duhet ta marrim demokracinë si të mirëqenë dhe duhet ta mbrojmë pa u dorëzuar asnjëherë. Qoftë një vend i madh apo i vogël, ne të gjithë mund të bëjmë një ndryshim, veçanërisht nëse i bashkojmë forcat. Andaj, ne zotohemi së do të punojmë me ju të gjithë për t’i arritur objektivat tona, për t’i ndarë praktikat më të mira, për ta kundërshtuar ndërhyrjen dhe propagandën ruse dhe për ta promovuar paqen në mbarë botën”, tha presidentja Osmani.

    Në këtë frymë, shtoi ajo, unë do të organizojë një Samit Global për Gratë në Paqe dhe Siguri në vitin 2022 që do të bashkojë liderë nga e gjithë bota.

    “Në betejën mes demokracisë dhe autokracisë, historia na mëson se akomodimi i autokratëve nuk funksionon kurrë. Sot është më shumë se një samit. Është zëri ynë i përbashkët që i refuzon tendencat autokratike dhe zëri ynë i përbashkët në mbrojtje të demokracisë. Dua të falënderoj Presidentin Biden për lidershipin e tij në këtë përpjekje! Nga populli më pro-amerikan në botë, faleminderit të gjithëve dhe mirupafshim!”, tha ajo.

    Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se trendet e demokracisë “gjerësisht janë duke shkuar në drejtimin e gabuar”, prandaj, ai shtoi se “demokracia ka nevojë për kampionë”. Sipas presidentit amerikan, ripërtëritja e demokracisë kërkon “përpjekje të vazhdueshme”.

    “Demokracia nuk ndodh aksidentalisht. Ne duhet ta ripërtërijmë në çdo gjeneratë dhe sipas meje, kjo është çështje urgjente për të gjithë ne”, tha Biden./Gazeta Reporteri/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!