Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot Gjakovën dhe Malishevën për të parë nga afër pasojat e përmbytjeve dhe për t’u njohur me nevojat e qytetarëve të evakuuar.

Gjatë vizitës, presidentja u takua me kryetarët e komunave, Ardian Gjini në Gjakovë dhe Ekrem Kastrati në Malishevë, si dhe me familjet e prekura, duke garantuar që asnjë familje nuk do të mbetet pa mbështetjen e nevojshme.

Ajo theksoi rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit në situata emergjente, duke shprehur falënderime të veçanta për ekipet e emergjencës, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, zjarrfikësit dhe policinë, që kanë qenë në krye të detyrës për të mbrojtur jetët dhe pronat e qytetarëve.

Reklamë

Presidentja gjithashtu rikujtoi se Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet në gjendje gatishmërie dhe e gatshme për të ofruar mbështetje në çdo rast të nevojshëm.

“Bashkë mund t’i tejkalojmë sfidat!”, u shpreh presidentja Osmani.

Për gjendjen e krijuar foli edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini. Ai tha se situata paraqitet më e mirë.

“Është vizitë e rëndësishme. E kemi kaluar një dy-tri ditë goxha të zorshme, po sot është e vërtetë që niveli i ujërave ka rënë edhe nuk po shihet që do të kemi rritje ose rritje të problemit në ditët që vijnë. Po duket që situata ka me qenë më mirë”, tha Gjini.

Reklamë

Ai njoftoi se gjatë vërshimeve ka pasur edhe evakuime të qytetarëve.

“Po, kemi pasur disa evakuime, i kemi vendosur në objektet tona të banimit social. Ka familjarë të cilët i kanë marrë të afërmit e vet nëpër shtëpitë e tyre. Jemi kujdesur deri sot për ushqim, një pjesë edhe për veshmbathje”, u shpreh ai.

Gjini shtoi se ekipet komunale janë duke punuar në sanimin e dëmeve dhe pastrimin e zonave të prekura. “Jemi duke i sanuar dëmet aty ku mundemi, duke i pastruar rrugët prej shembjeve ose prej vërshimeve ose prej mbeturinave fatkeqësisht që kanë sjellë dëme të shumta, fatkeqësisht duhet me thënë”, tha ai.

Sipas tij, nga dita e nesërme do të nisë procesi zyrtar i vlerësimit të dëmeve.

Reklamë