×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokuroria: Shefki Spahiu qëlloi të riun nga një metër distancë, me armë zyrtare

    Reporteri
    19 Mars 2019 | 13:46

    Të dyshuarit Shefki Spahiu, zyrtar policor, iu caktua të martën masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe të veprës penale mbajta në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.


    Në aktvendimin e gjykatës për caktimin e paraburgimit thuhet se “i pandehuri me qëllim të fitimit të dobisë pasurore me dashje privon nga jeta të ndjerin me iniciale J.A. punëtor i kazinosë, në atë mënyrë që shkon në kazino dhe aty qëndron deri në ora 05:00”.

    I dyshuari Shefki Spahiu, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore Prizren, është rikthyer sërish kah ora 07:30 minuta, dhe papritmas gjatë lëvizjes në kazino në një moment ka nxjerrë armën – pistoletën e markës Glock, dhe nga një afërsia, në distancë një metër, ka shtënë një herë në pjesën e epërme të kokës të të ndjerit i cili ka qenë i ulur në fotele.

    Nga plaga e marrë, mjeku i Emergjencës në Suharekë kishte konstatuar vdekjen e viktimës.

    Gjykata në vendim e saj thotë se dyshimi i bazuar rrjedh nga faktet, rrethanat dhe provat e paraqitura nga Prokuroria e Shtetit.

    Prokuroria gjithashtu ka vërejtur se mungon një fishek nga ngarkesa në 30 të tillë që Shefki Spahiu i ka pasur si zyrtar i Policisë së Kosovës.

    Mbrojtësi i të dyshuarit, avokati Sefer Morina, e kundërshtoi caktimin e paraburgimit sepse, sipas tij, nuk ka prova që e bëjnë të mbrojturin e tij fajtor për këtë vrasje.

    “Përveç se është konstatuar vdekja e viktimës nga ana e raportit mjekësor, video incizimeve të vendit të ngjarjes si dhe një pistolete e cila është në pronësi të pandehurit Sh.S e që e njëjta është në shfrytëzim zyrtar pasiqë i pandehuri me profesion edhe është polic, nuk është vërtetuar me asnjë provë se i njëjti është kryes i veprave penale që pretendon prokuroria”, tha avokati.

    I dyshuari nuk komentoi më shumë nga ajo që e tha mbrojtësi i tij.

    “E mbështes fjalën e avokatit, s’di çka me fol e me shtu ma shumë”, ishin fjalët e vetme të të dyshuarit Shefki Spahiu gjatë seancës.

    Prokuroria e Prizrenit ka gjetur se karikatorit të armës zyrtare të policit, Shefki Spahiu, i mungonte një plumb pas vrasjes që ndodhi të dielën në një kazino të Suharekës.

    Sipas Prokurorisë, pas vrasjes së 32 vjeçarit në Suharekë, policit i ishte konfiskuar arma ‘Glock 9 mm’.

    “Në vendin e ngjarjes gjatë bastisjes te i pandehuri përveç armës zyrtare 9 mm Glock që është konfiskuar, anë konfiskuar edhe 29 fishekë, ndërsa i pandehuri ka qenë i ngarkuar me 30 fishekë”, tha prokurori Mehdi Sefa.

    Po ashtu fakti tjetër është se gëzhoja e gjetur në vendin e ngjarjes në pikëpamje të karakteristikave të përgjithshme përputhet me municionin që e ka pasur të ngarkuar si zyrtar i Policisë.

    Gjatë seancës së sotme është shikuar përmbajtja e një CD-je që është nxjerrë nga serveri i kamerave të sigurisë të lokalit ku është kryer vepra penale.

    Mediat dhe monitoruesit nuk janë lejuar të jenë të pranishëm në kohën e shikimit të CD-së, por prokurori i rastit Mehdi Sefa pretendon se në të janë provat kryesore të ngjarjes. Madje prokurori Sefa këtë provë e quajti “mbretëresha e provave”. /kallxo.com/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!