×
  • Lajme
  • Lajme

    “Provokim i qëllimshëm ndaj Perëndimit” – Diplomati serb komenton marrëveshjen mes Serbisë dhe Rusisë

    Reporteri
    27 Shtator 2022 | 11:57
    Ministri rus i jashtëm, Sergej Lavrov, dhe ministri serb i jashtëm, Nikolla Selakoviç

    Provokim të qëllimshëm ndaj Perëndimit e ka quajtur ish-ambasadori serb në Berlin, Ivo Viskoviç, nënshkrimin e Marrëveshjes për Planin Konsultativ për bashkërendim dy-vjecar të politikës së jashtme mes Serbisë dhe Rusisë, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, në gjendjen aktuale gjeopolitike pas agresionit rus mbi Ukrainën, Viskoviç e quajti “në dëm të interesave të Serbisë”.

    “Mendoj se mund të ndodh që do të ketë pasoja, së paku verbalisht. Nëse jo përmes ndonjë veprimi specifik për të ndëshkuar Serbinë, atëherë së paku do të pasojnë kritika. Të nënshkruash në këtë kohë marrëveshje me Rusinë duket provokim i qëllimshëm ndaj Perëndimit”, i ka thënë ish-diplomati medias serbe “Nova.rs”.

    “Kjo gjë nuk është në interesin tonë”, u shpreh ai derisa shtoi se e kupton pse e kanë nënshkruar në New York, “ngase, siç e dimë, fluturimet tonë për në Moskë dhe ardhjet e zyrtarëve rusë në Serbi janë bërë të pamundura”, vlerësoi ish-ambasadori serb.

    Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, gjithashtu reagoi ndaj kësaj marrëveshje. Ai tha se ShBA kërkon sqarim se çfarë është nëshkruar me Rusinë.

    Në një kohë të tillë, askush nuk nënshkruan asgjë me Rusinë, u shpreh ambasadori Hill.

    Në anën tjetër, kryediplomati serb, Nikolla Selakoviç, ka provuar të justifikojë dhe minimizojë marrëveshjen me Rusinë, duke e quajtur “çështje teknike” atë që është nënshkruar, dhe se nuk është marrëveshje e re, por “që daton nga viti 1996”./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!