×
  • Lajme
  • Lajme

    Provon t’ia bëjë pak qejfin shefit të tij, ministri i Vuçiçit sulmon Kurtin

    Reporteri
    01 Shtator 2022 | 11:55

    Diskurseve se gjoja Kosova dëshiron të jetë një vend pa serbë brenda, iu bashkua edhe ministri serb i mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç, raporton gazeta online “Reporteri.net”.

    Një paragraf ia kushtoi edhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, të cilin e akuzoi se “dëshiron të realizojë ëndrrën e papërmbushur të tij – një Kosovë pa serbë”, duke i qëndruar në linjë diskursit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

    “Për t’i bërë gjërat edhe më të vështira, në luftën për të ruajtur jetën normale e të përditshme të të gjithë qytetarëve pa kriza e mungesa, Serbia po përballet me presion çdo ditë e më të madh në lidhje me Kosovën, që është interesi më i rëndësishëm nacional dhe shtetëror”, ka shkruar ky ministër.

    “Përpjekjet e Kurtit për të kërcënuar mbijetesën e serbëve me forcë janë më të forta se ndonjëherë në të kaluarën. Ai po bën më të mirën e tij që të shfrytëzojë turbulencën në Evropë dhe botë që në hije të kësaj të realizojë ëndrrën e tij të papërmbushur – një Kosovë pa serbë”, thotë më tej ai.

    Por, Stefanoviç, thotë se Kurti “ka dështuar” në këtë, duke ia faturuar si “sukses” politikave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

    Megjithëkëtë, armiq të Serbisë në raport me Kosovën nuk projektoi vetëm jashtë Serbisë, por edhe brenda – ato të pushteteve të kaluara në Serbi.

    “E ndërsa Serbia dhe Vuçiçi po bëjnë beteja të vështira ditë pas dite, sulmet vazhdojnë dhe vijnë jo më pak, jo më shumë se nga të njëjtët njerëz që e sollën këtë vend në prag të falimentimit dhe lypsarisë dhe gjatë kohës së të cilëve Kosova shpalli pavarësinë e saj. Nëse rastësisht ato ditë do të ishin të tyret edhe sot, Serbia siç e njohim dhe e duam sot nuk do të ekzistonte”, shkroi ai.

    “Serbia do të rrëzohej nën peshën e lakmisë së tyre dhe do t’i shkurtohej kapelja nga njerëz të ndryshëm që nuk e uronin atë. Ajo do të ishte e dobët, e pambrojtur, e varfër dhe pa një plan për atë që do të ndodhë nesër, çfarë do të ndodhë në dimër dhe çfarë do të ndodhë vitin e ardhshëm në këtë kohë”, thotë mes tjerash ai.

    Kosova është shtet multi-etnik, ku të drejtat politike të pakicave janë të garantuara  me Kushtetutë më së miri në kohërat moderne, e veçanërisht ato të komunitetit serb.

    Minoriteti serb, gëzon 10 ulëse të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, ndonëse përbën më pak se 5% përqind të popullatës së Kosovës.

    Kosova, siç rëndom ndodh në Serbi, përdoret për politika të brendshme atje për të akuzuar njëri tjetrin për “patriotë e tradhtarë”./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!