×
  • Lajme
  • Lajme

    Që 2 muaj iu vodh vetura 90 mijë euroshe në Graçanicë, qytetari kërkon ndihmë dhe i ofron shpërblim kush e gjen

    Reporteri
    06 Dhjetor 2021 | 11:59

    Një person me inicialet A.J nga Graçanica, pretendon se i është vjedhur një veturë e tipit BMW X5, në po këtë komunë.

    Sipas deklaratës së tij që ka dërguar në redaksinë e Gazetës Online Reporteri.net, vetura i është vjedhur më 16 tetor të këtij viti rreth orës 08:45, me targat lokale 01-592-PJ, ngjyrë e zezë.

    Ai po ashtu ka deklaruar se veturën e kishte parkuar në garazhën e shtëpisë së tij, në momentin kur i ishte vjedhur.

    Këtë deklaratë ai e ka dhënë edhe në Policinë e Kosovës.

    Reporteri.net ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës, dhe të njëjtit kanë konfirmuar incidentin, megjithëse, sipas tyre, deri në këto momente nuk ka pasur indikacione për ta çuar drejt gjetjes së veturës.

    “Po. Ankuesi ka raportuar se nga persona të panjohur, i është vjedhur vetura  e tij me targa vendore. Po ashtu të njëjtit me forcë kanë depërtuar brenda shtëpisë së tij dhe kanë vjedhur një çantë dore, me dokumente personale dhe një shumë parash. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

    Në një deklaratë për Gazetën Online Reporteri.net, ai madje ka thënë se ofron shpërblim për personin që e gjen këtë veturë.

    “Policia po punon, por ende nuk kemi rezultate. Kam nevojë për ndihmë. Unë e shpërblej këdo që më jep informacion nëse e sheh këtë makinë diku”, u shpreh A.J, emër i njohur për redaksinë. Prandaj, personat që shohin këtë veturë dhe duan ta ndihmojnë, mund të kontaktojnë paraprakisht në adresë të redaksisë.

    Sipas ankuesit, vlera e veturës është 90.000 euro, derisa brenda veturës i ka pasur të gjitha dokumentet poseduese, përfshirë pasaportën e Kosovës, librezën e qarkullimit të automjetit, polisën e sigurimit, kartonin e gjelbër, patentë shoferin e Kosovës dhe të Serbisë, po ashtu kartela të tij personale.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!