Një koment i bërë në Kuvendin e Kosovës, gjatë ditës kur pati përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe atyre të Vetëvendosjes, ka bërë që e reja nga Obiliqi, Olsa Sadiku, të përjashtohet nga aktivitetet e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës.
Sadiku ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se fjalia “Po de që dy vjet s’kemi qeveri, pse me e lanë?”, të cilën e kishte thënë gjatë zhvillimeve në sallën e Kuvendit, i ka kushtuar me ndërprerjen e bashkëpunimit me Kuvendin e të Rinjve të Kosovës.
Ajo ka treguar se më 12 gusht, në Ditën e Rinisë, ishte ftuar nga kryetarja e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës për të marrë pjesë si njëra nga përfaqësueset e të rinjve nga Obiliqi.
Sipas saj, në Obiliq ende nuk ekziston Kuvendi i të Rinjve, ndërsa ajo kishte qenë më herët në komunikim për mundësinë e themelimit të tij.
Sadiku ka thënë se gjatë vizitës në Kuvendin e Kosovës, të rinjtë kishin marrë pjesë në aktivitetet e parapara dhe ishin informuar për mënyrën e funksionimit të strukturave rinore.
Më pas, sipas saj, në sallë hyri PDK-ja për zhvillimin e një seance dhe aty nisën përplasjet mes deputetëve.
“Në atë moment, shpreha spontanisht një mendim timin. Një mendim i një të reje që dëshiron që institucionet të funksionojnë dhe që beson se vendi nuk duhet të mbetet pa institucione funksionale”, ka shkruar Sadiku.
Ajo ka theksuar se nuk ka folur në emër të asnjë partie politike dhe se nuk është pjesë e ndonjë subjekti politik.
“Videoja e atij momenti u bë virale. Por ajo fjali më kushtoi me ndërprerjen e bashkëpunimit me Kuvendin e të Rinjve të Kosovës, pjesëmarrjen time në aktivitetet e KRK-së dhe përfshirjen time në procesin e formimit të Kuvendit të të Rinjve në Obiliq”, ka deklaruar ajo.
Sadiku ka ngritur pikëpyetje nëse të rinjtë, duke qenë pjesë e një aktiviteti rinor në Kuvend, janë përdorur në një situatë politike.
“Nëse ne të rinjtë ishim aty në një aktivitet rinor dhe u gjendëm në mes të një situate të krijuar nga një zhvillim politik brenda Kuvendit, a nuk shtrohet edhe pyetja nëse u përdorëm edhe ne në një mënyrë politike?”, ka shkruar ajo.
Ajo ka thënë se në vendimin për përjashtimin e saj thuhet se nuk bëhet fjalë për masë disiplinore dhe se vendimi nuk bazohet në pretendimin se ka shkelur ndonjë dispozitë statutore apo rregullative.
Megjithatë, sipas saj, një deklaratë e bërë në një situatë politike është përdorur si arsye për ndërprerjen e përfshirjes së saj në një proces rinor.
Sadiku ka ngritur disa pyetje lidhur me kufirin mes apolitizmit institucional dhe të drejtës së të rinjve për të shprehur mendimet e tyre.
“A duhet një e re të heshtë për të qenë e pranueshme në një strukturë rinore?”, ka pyetur ajo, duke shtuar se apolitizmi i një organizate nuk duhet të nënkuptojë heshtjen politike të individit.
Në fund, Sadiku ka thënë se do të vazhdojë të flasë dhe të angazhohet për rininë e Obiliqit, pavarësisht vendimit.
“Sepse pjesëmarrja rinore nuk duhet të kushtëzohet me heshtje”, ka përfunduar ajo.