Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ndër të tjera ka miratuar masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19, shkruan Reporteri.net.
Kufizimi i lëvizjes do të jetë nga ora 22:00 deri në orën 05:00, për dallim që deri tash niste nga ora 00:00.
Pas shqyrtimit është miratuar vendimi për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 sipas vlerësimit të situatës epidemiologjike në vend nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetësisë Publike. Masat e miratuara hyjnë në fuqi nesër, me 22 janar 2020 dhe vlejnë deri më 4 shkurt 2022.
Këto janë masat e reja anti-Covid
Në vendim është thënë se situata epidemiologjike është e qetë, mirëpo rreziku mbetet pasi varianti Omicron është dominues.
Sipas vendimit të Qeverisë, qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të jenë të vaksinuar plotësisht dhe të kenë edhe dozën përforcuese.
Ata që nuk kanë dozën përforcuese, duhet të kenë test negativ të llojit PCR, të vlefshëm për 48 orë.
Autoritetet e Kosovës kanë miratuar më parë tre skenarë për zhvillim të mësimit në kohë të pandemisë.
Skenari A ka të bëjë me zhvillimin e mësimit në ambientet shkollore. Skenari B, apo mësimi i kombinuar përfshin rikthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla (prezencë e nxënësve në shkolla, e kombinuar dhe me mësimin në distancë) dhe skenari C është mësimi në distancë apo online.
Sa u përket institucioneve të arsimit të lartë, në vendim është thënë se mësimi mund të zhvillohet me prani fizike, me kusht që grupet mbi 50 persona të akomodohen në jo më shumë se 50 për qind të hapësirës.
Bizneset e gastronomisë mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri më 21:00.
Muzika në këto biznese lejohet deri në orën 20:30.