×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeverisë i kërkohet që t’i trajtojë njëjtë të gjitha komunat

    Reporteri
    04 Janar 2022 | 13:26

    Realizimi i shumë projekteve të nivelit lokal pa mbështetje nga ana e nivelit qendror është thuajse i pamundur. Bazuar në këtë, Qeverisë po i kërkohet që t’i trajtojë të gjitha komunat në mënyrë të barabartë dhe të mos i orientojë investimet vetëm në ato komuna ku udhëheq Lëvizja Vetëvendosje.

    Trajtimi i ujërave të zeza, shtrirja e rrjetit të ujësjellësit, investimet në infrastrukturë janë disa nga projektet që kërkojnë mbështetje me të madhe nga ana e Qeverisë.

    Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se komunat duhet të trajtohen të gjitha në mënyrë të njëjtë dhe jo të shikohen në bazë të përkatësisë politike.

    Ai thotë se përkrahja e nivelit lokal nga ana e qeverisë është tejet e rëndësishme për realizimin e shumë projekteve prej të cilave përfitojnë qytetarët.

    “Qeveria e ka për obligim t’i trajtojë të gjitha komunat në mënyrë të barabartë, pa marrë parasysh përkatësinë politike apo përkatësinë etnike. Sa i përket ndarjeve buxhetore tek granti i përgjithshëm ekzistojnë kriteret, gjithashtu edhe tek granti i shëndetësisë, i arsimit, mirëpo hilja më e madhe ka qenë nga ministritë e linjës të cilët kanë investuar nëpër komuna duke marrë parasysh më shumë kritere politike dhe etnike se sa ato profesionale.

    Për këtë arsye kemi tentuar gjithnjë që kritere të tilla të mos parashihen më me legjislacionin në fuqi dhe kemi kërkuar që të themelohet një grant i cili të gjitha këto mjete do t’i kanalizojë përmes atij granti në mënyrë që të gjitha komunat në mënyrë të barabartë të përfitojnë, e jo që të investojnë në disa komuna për shkak të përkatësisë politike dhe në disa raste etnike dhe jo t’i trajtojnë të gjitha komunat barabartë”, thotë ai për KP.

    Ibrahimi thotë se shpresojnë që gjatë këtij viti të hyjë në fuqi Ligji për financat e pushtetit lokal, në të cilin është paraparë krijimi i grantit të katërt apo grantit për investime kapitale. Nga i njëjti, ai thotë se komunat do të përfitojnë mbi 90 milionë euro më shumë sesa vitet paraprake.

    Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, thotë se pret që niveli qendror t’i ofrojë përkrahje për realizimin e projekteve që ka paraparë gjatë katër viteve të ardhshme.

    “Pavarësisht faktit se në qeveri është një parti tjetër e niveli lokal është një parti tjetër, për mua kjo nuk është pengesë dhe unë pres një qasje konstruktive nga ana e të gjithë ministrave. Nga ana ime në asnjë moment nuk do të mungojë gatishmëria për bashkëpunim, sepse mendoj që qytetarëve nuk ju intereson cila parti ku është, por ju intereson realizimi i projekteve që kanë të bëjnë me ngritjen e cilësisë së jetës së tyre. Sinqerisht unë pres bashkëpunim dhe mendoj që nuk ka asnjë arsye të mos bashkëpunojmë dhe jam optimist në këtë drejtim. Prizreni është qytet i rëndësishëm për Kosovën, është qyteti i dytë për nga çdo kriter, qytet që ka reputacion edhe jashtë territorit të Kosovës, prandaj në këtë aspekt nuk pres diskriminim, pres favorizim të qytetit të Prizrenit”, thotë ai.

    Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, thotë se shumë projekte mund të realizohen vetëm falë mbështetjes së qeverisë.

    “Qeveria e Kosovës e mbanë pjesën më të madhe të buxhetit dhe detyrimisht që duhet të investohet në komuna për t’u përmbyllur infrastruktura. Ne duhet të shohim, buxheti që ka kaluar tash nuk lënë shumë për të shpresuar, mirëpo po besojmë që Qeveria ka mundësi të tjera që të gjejë fonde, të krijojë grante të llojeve të tjera në mënyrë që komunat t’i kryejnë obligimet e tyre ndaj qytetarëve. Por në fund të fundit edhe Qeveria t’i kryej obligimet e veta ndaj qytetarëve, për shkak se është Qeveri e të gjithë qytetarëve dhe si e tillë duhet edhe të sillet”, shprehet Gjini.

    Edhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, thekson se pret që të gjitha projektet të cilat janë të domosdoshme për këtë komunë të marrin miratimin e nivelit qendror.

    “Shumica e projekteve nuk do të ishin të mundshme pa bashkëpunim me nivelin qendror. Besoj që ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tutje, shpresojmë që të gjitha projektet të cilat janë të domosdoshme për qytetarët e Obiliqit ta kemi mbështetje edhe nga niveli qendror”, pohon Gashi.

    Se niveli qendror nuk duhet t’i favorizojë apo t’i përjashtojë komunat varësisht prej partive që udhëhiqen thotë edhe Bekim Salihu, nga Instituti GAP.

    Ai thotë se është e rëndësishme që Qeveria të reflektojë korrektësi dhe ligjshmëri karshi nivelit lokal dhe kësisoj t’i trajtojë në mënyrë të barabartë.

    “Qeveria të mos i sheh komunat si parti politike, të mos i sheh komunat dhe mos t’i trajtojë komunat varësisht nga bindjet politike, por komunat t’i konsiderojë si njësitë veçanta të vetëqeverisjes lokale dhe natyrisht që secila komunë i ka prioritetet dhe problemet e saj, kësisoj edhe t’iu qaset atyre. Ta zëmë një mori e komunave kanë problem me ujërat e zeza, një mori e komunave të tjera kanë problem me mungesën ujit të pijes, mungesën e kanalizimit, mungesën e ndriçimit, parqeve, të pronës, të zonave ekonomike e kështu me radhë. Pra, janë 38 komuna dhe secila komunë ka disa probleme në krahasim me komunat e tjera. Për rrjedhojë edhe qeveria do të duhet kësisoj t’i shoh komunat, t’i trajtojë dhe të përpiqet të ju ndihmojë në këto fusha ku komunat kanë probleme të theksuara”, deklaron Salihu.

    Gjatë një deklaratë në kohë fushate, kryeministri Kurti pati thënë se kryetarët e komunave që nuk vijnë nga LVV dinë të bëjnë një lloj opozite karshi Qeverisë, por Salihu thotë se nga monitorimi që GAP ka bërë në asnjë rast nuk ka vërejtur se ka pasur qasje politike nga ana e kryetarëve të komunave në raport me qeverinë.

    Në zgjedhjet lokale që u mbajtën me 17 tetor 2021, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar vetëm në katër komuna, në Gjilan, Kamenicë, Shtime dhe në Podujevë.

    Partia Demokratike e Kosovës, gjatë katër viteve të ardhshme do të qeverisë në Prizren, Drenas, Kaçanik, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj, Ferizaj dhe në Han të Elezit.

    Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi në Prishtinë, Fushë Kosovë, Istog, Viti, Junik, Dragash, Lipjan dhe në Pejë.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës udhëheq në Gjakovë, Klinë, Rahovec, Deçan dhe në Suharekë.

    Në komunën e Obiliqit ka fituar Iniciativa Qytetare për Obiliq, në Malishevë Nisma Socialdemokrate, ndërsa në Mamushë Kosova Demokratik Turk Partisi.

    Lista Serbe, ka arritur të fitojë në Kllokot, Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe në Mitrovicë të Veriut.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!