×
  • Lajme
  • Lajme

    Ankesa shumë, por pak qytetarë po protestojnë para KEDS-it për reduktimet e rrymës

    Reporteri
    27 Dhjetor 2021 | 13:15

    Disa qytetarë janë mbledhur para ndërtesës së KEDS-it në kryeqytet duke kërkuar furnizim të rregullt me rrymë dhe shkarkimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizavnolli.

    Qeveria e Kosovës më 24 dhjetor vendosi masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike, të cilat do të vlejnë deri 60 ditë, shkruan Reporteri.net.

    Për shkak të krizës, prej 22 dhjetorit në Kosovë, konsumatorët po përballen me reduktime të energjisë elektrike prej 2 orësh. Megjithatë, disa qytetarë kanë raportuar se po kanë reduktime më shumë se 2 orë.

    Protestuesit kundërshtuan edhe shitjen e KEDS-it më 2012, që ishte shitur për 26.3 milionë euro. Sipas protestuesve, shpenzimet e blerjes së këtij distribucioni, kjo kompani i ka fituar për një vit e gjysmë.

    “Për tetë vjet, i kanë deklaruar 140 milionë euro fitime”, tha Dibran Hoxha, njëri nga organizatorët e protestës.

    Protestuesit thanë se reduktimet në fshatra po zgjasin edhe nga 12 orë e ndonjëherë edhe 24 orë.

    Ata kërkuan që autoritetet të shkëpusin kontratën me kompaninë që ka privatizuar KEDS-in, “Çalik-Limak” dhe t’i kthehet autoriteteve shtetërore.

    Në një komunikatë që KEDS-i ka dërguar në adresë të qytetarëve, të martën e javës së kaluar, thuhet se kufizimet e furnizimit me energji elektrike vijnë pas udhëzimeve të KOSTT-it, për shkak të krizës energjetike.

    Në anën tjetër, sot kryeministri Albin Kurti përmes një shkrimi në Facebook pohoi se janë shkurtuar reduktimet e rrymës.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!