×
  • Lajme
  • Lajme

    Rama për publikimin e të dhënave: Duan të krijojnë destabilitet

    Reporteri
    23 Dhjetor 2021 | 13:16

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u është drejtuar qytetarëve lidhur me skandalin e publikimit të të dhënave të punësimit për mbi 630 mijë shqiptarë.

    Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët me drejtoreshën e përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, tha se publikimi i databazës me pagat e mbi 600 000 personave ka qëllim “për të krijuar konfuzion dhe për të nxitur destabilitet”.

    “U kërkoj shumë ndjesë të gjithë atyre që janë shqetësuar me plot të drejtë për këtë ngjarje. Është ngjarje që meriton të hetohet imtësisht, uroj dhe bëj thirrje që prokuroria ta kryejë këtë hetim me të gjitha kapacitetet”, tha Rama.

    Prej më shumë se 24 orë në rrjetet sociale dhe media u shpërnda një bazë të dhënash me informacione sensitive për mbi gjysmë milioni shqiptarë, numri i ID, vendi i punës, si dhe paga mujore. Bëhet fjalë për pagesat e muajit janar të këtij viti. Kjo gjë ka shkaktuar një furtunë tek opinioni publik dhe reagime të shumta, si nga presidenti, opozita, ashtu dhe nga gazetarë apo aktivistë të shoqërisë civile.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!