Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka konfirmuar se do të kandidojë për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e brendshme të partisë, të cilat pritet të mbahen vitin e ardhshëm. Ai i ka bërë thirrje kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që të japë dorëheqje.
“A keni dëgjuar që kam thënë se po? Do të jem (kandidat për kryetar të LDK-së). Jam dëshmuar në Prishtinë, jam rizgjedh, e kam pru LDK-në të parën në Prishtinë. Mendoj që kishte bërë mirë (të dorëhiqet Abdixhiku). Ashtu duhet me bë”, ka thënë Rama në një deklarim për media të enjten.
Abdixhiku ishte ai që e prezantoi Ramën si kandidat të LDK-së për kryetar të Prishtinës në vitin 2021. Në atë kohë, Rama nuk kishte karrierë në politikë dhe njihej kryesisht si arkitekt e urbanist me përvojë ndërkombëtare.
Rama fitoi zgjedhjet lokale në Prishtinë në vitin 2021 dhe u rizgjodh në vitin 2025, në të dyja rastet nën siglën e LDK-së.
Megjithatë, ai vazhdimisht ka përsëritur se nuk është anëtar i LDK-së.