Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka uruar Justina Shiroka Pulën për zgjedhjen Presidente e Kosovës.

Rama ka vlerësuar marrëveshjen e pozitës dhe opozitës për zgjedhjen e Shiroka Pulës në krye të shtetit, duke e cilësuar atë si një person me përvojë të gjatë akademike, shkencore dhe politike.

Ai ka thënë se presidentja e re është një figurë që, sipas tij, mendon përtej interesave partiake dhe mund të kontribuojë në bashkimin e shoqërisë.

Reklamë

“Unë i kam uruar presidentes së re. I uroj të gjithëve, qeverisë, opozitës, që në fund kanë mundur me u marrë vesh për një person si Justina Shiroka-Pula, një mikeshë faktikisht, një person i mrekullueshëm, një person me një eksperiencë të gjatë akademike, shkencore, politike, e që mendon faktikisht përtej partive politike”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, Shiroka Pula mund të luajë rol në bashkimin e komunitetit dhe shoqërisë, ndërsa i ka uruar sukses në detyrën e re.

“Është një person që gjithsesi besoj që bashkon komunitetin, bashkon shoqërinë tonë dhe i uroj çdo të mirë në këtë mision të madh që tash e ka në dorë për t’i shtyrë përpara proceset e mëdha për vendin tonë. Urime, urime presidentes!”, ka thënë Rama.