×
  • Lajme
  • Lajme

    Ramiz Lladrovci: Albin Kurti grahi punëve, paaftësia nuk mbulohet me video e kritika

    Reporteri
    13 Tetor 2022 | 12:00
    Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci

    Autor: Blendi Gashi


    Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti ditëve të fundit ka publikuar dy video përmes të cilave kritikon ish-pushtetet e kaluara të udhëhequra nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Ramush Haradinaj, për keqqeverisje të vendit, dhe për përfitim të terminaleve doganore nga bashkëpartiakë e njerëz të afërt të tyre, video të cilat u kritikuan nga opozitarët dhe jo vetëm.

    Kritika ka edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili në një intervistë dhënë për Gazetën Online Reporteri.net i thotë kryeministrit Kurti ‘grahi punëve’.

    Ai shton se paaftësia nuk mbulohet me video e kritika, ndërsa i bën thirrje kreut të qeverisë që çdo fakt të mundshëm që ka për keqpërdorime ta dërgojë te organet e ndjekjes.

    Në këtë intervistë Lladrovci flet për raportet e tij me Kurtin e qeverisjen e këtij të fundit, për atë nëse kryeministri duhet t’i vizitojë apo jo krerët e UÇK-së në Hagë, për partinë e tij, PDK-në, e kryetarin Memli Krasniqi, qeverisjen e tij në Drenas dhe për Stadiumin Nacional.

    Lexoni të plotë intervistën me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, dhënë për Gazetën Online Reporteri.net:

    Reporteri.net: Ju gjatë fushatës keni dhënë 37 premtime. Sipas GAP shtatë i keni realizuar deri tani, shtatë janë gjysmë të përmbushura, tetë kanë filluar, kurse 15 ende jo. Cilat janë projektet më madhore që keni realizuar këtë mandat, dhe cilat ju kanë mbetur deri në fund të mandatit që synoni t’i përfundoni?

    Ramiz Lladrovci: Fokusi i qeverisjes sime që nga marrja e mandatit, është përmirësimi i jetës së qytetarit. Premtimet e dhëna, janë për periudhën 4 vjeçare, pra për një mandat të plotë. Këtë vit, ndonëse me shumë sfida për shkak të gjendjes ekonomike në vend, jemi munduar që gjitha ato projekte të planifikuara t’i realizojmë e disa janë në proces. Ne jemi penalizuar po ashtu si komunë nga operatoret ekonomik për shkak të ngritjes së çmimeve. Kryesisht projektet më madhore janë, rregullimi i infrastrukturës rrugore për secilën lagje, ndriçimin publik ku ka shtylla elektrike të betonit në vendbanime, shtrirjen e rrjetit të kolektorëve për ujëra të zeza përgjatë shtratit të lumit “Drenica” dhe “Vërbica” ku janë përfshirë thuajse të gjitha vendbanimet, rregullimin e rrjetit të ujërave të zeza në lagje, përkrahja e studentëve me bursa, infrastruktura në shkolla, digjitalizmi i rrjetit arsimor dhe bibliotekave dhe projekte të tjera që kanë përfituar direkt qytetarët e komunës së Drenasit.

    Keni premtuar ujësjellësit në 22 fshatra, kur synoni ta realizoni këtë projekt?

    Lladrovci: Në kuadër të projektit të instalimit të rrjetit të ujësjellësit në 22 fshatra, kohëzgjatja e projektit është paraparë për një mandat katër vjeçar. Në premtimin elektoral është sqaruar se projekti do të implementohet aty ku ekziston infrastruktura nga baseni i Kamenicës. Në disa vende, pavarësisht që është kryer projekti në fjalë, kanë munguar gypat e këto defekte i kemi drejtuar tek organet gjegjëse, që edhe na kanë vonuar deri më tani në realizimin e këtij projekti. Fatkeqësisht mund të ketë edhe degëzime tjera në fshatra që nuk janë të vendosur gypat nga qeverisjet para meje, pra nëse ka telashe të tilla ne mos vendosjen e gypave në këto fshatra, realizimi i projektit do të jetë vështirë i realizueshëm dhe do të detyrohemi që komplet projektin ta dërgojmë tek organet e drejtësisë. Gjatë këtij viti, deri më tani kemi investuar në basenin kryesor të Kamenicës dhe kyçjeve mbi 120 mijë euro, vlerë sa ka qenë investimi i këtij projekti. pra komuna i ka kryer obligimet e veta dhe është bërë edhe testimi i gypave, nëse nuk del që në gypat që janë shtrirë në vendbanime nuk kanë ndonjë defekt, gjatë këtij viti, vendbanimet që janë planifikuar të kenë ujë përmes këtij projekti, do të kenë furnizim me ujë të pijshëm.

    Sa po mbështet Qeveria Kurti komunën e Drenasit? Jeni të kënaqur, apo jeni të lënë anash?

    Projektet tona, nuk po zhvillohen as sipas planit, as sipas vëllimit. Është për keqardhje, sepse, projektet infrastrukturore, si rruga me katër korsi nga Gllobari drejt Komoranit, rruga nga Kroni i Mbretit për Drenas e në drejtim për Skenderaj, liqeni i Vërbocit, Shkolla profesionale dhe Baseni gjysmë olimpik në Komoran, Rregullimi i shtratit të lumit Vërbica, faza e dytë, në mes të fshatit Shtrubullovë dhe Çikatovë e Re, Projekt i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fabrika e përpunimit të Ujërave të zeza, Stadiumi Nacional e projekte të tjera – kanë ngecur. Nuk dua ta besoj, por, nuk e kam pritur këtë stagnim në zhvillimin e projekteve kapitale.

    Për fat të keq, për mosveprim nga niveli qendror, kanë humbur edhe mbi 15 milion dollar të destinuara nga BERZH-i për Parkun e Biznesit “Drenasi 2”.

    Si e vlerësoni qeverisjen e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti? Cilat janë tri sukseset që ja njihni dhe tri dështimet?

    Nuk jam i kënaqur sepse, çdo qeveri duhet të bëj më shumë se qeveritë e mëparshme. Por, dua të them se qytetarët kishin nevojë për ndihma sociale dhe rritje të pensioneve për pensionistët, ndihma për rastet sociale dhe shtesat e fëmijëve, sepse, gjendja ekonomike e qytetarëve nuk është e mirë.

    Te dështimet, mund të theksoj mungesën e investimeve kapitale, masat e paketa kundër krizës, inflacionit dhe energjisë dhe plagën më të rëndë, largimin e të rinjve.
    Qeverisja aktuale është në vitin e dytë të saj dhe nuk i shkon për fytyre të arsyetohet duke lëshuar video për gjoja keqqeverisjeve të kaluara por të lëshojë video të punëve të mira, investimeve kapitale qe i ka bërë. Nëse ka fakte për shpërdorim të buxhetit, duhet ta dërgoj çdo fakt te organet e ndjekjes. Paaftësia nuk mbulohet me video e kritika por me punë, le t’i grahë…

    Si i keni ju personalisht raportet me kryeministrin Kurti?

    Për që kam raporte të mira dhe se njihemi shumë moti, kjo dihet, por njohja dhe raportet tona prej shumë vitesh nuk mund të më bëjnë të heshti për ato që janë interes i qytetarëve të komunës së Drenasit, apo për Kosovën.

    Unë edhe me Kurtin, edhe me kryeministrat e mëhershëm, kam qenë i hapur dhe kam shfaqur para tyre interesat e qytetarëve që më kanë zgjedhur. Drenasi, për të kaluarën e vet, ka paguar çmim të lartë, që nga ditët e para të okupimit shekullor. Kushdo që e njeh të kaluarën tonë si komunë, e di se nevojat tona për infrastrukturë dhe objekte publike, kanë qenë shumë më të mëdha se të shumë qyteteve tjera, andaj, jam shumë i përkushtuar të sigurojë mirëqenien e qytetarëve, secilës lagje e fshat, secilës shtëpi e qytetar, me kushtet për jetë sa më cilësore, infrastrukturë dhe barazi para ligjit.

    A duhet t’i vizitojë Kurti krerët e UÇK-së që gjenden në Hagë?

    Nuk besoj që Kurti e ka ne agjendën e tij të bëj kërkesë për vizitë në Hagë, edhe pse së paku moralisht do të duhej ta vizitonte ish kryetarin e grupit të vet parlamentar, z. Rexhep Selimi.

    Nuk dua as ta paragjykoj e as të jap rekomandime për këtë çështje të ndjeshme, por, mendoj se shteti ynë, duhet të bëj sa më shumë për të ndaluarit padrejtësisht në Hagë. Po ashtu, duhet pasur kujdes që të mos ketë as presion ndaj drejtësisë.

    Sa jeni të kënaqur në mënyrën si po e drejton Memli Krasniqi PDK-në, dhe si e shihni formimin e Këshillit Politik?

    Për Kryetarin Krasniqi kam vetëm fjalë të mira, gjithsesi, energjia e tij, njohja e çështjeve, vendosmëria dhe vizioni i tij, janë aset i çmuar për drejtimin e partisë në kohë jo edhe aq të përshtatshme, kur mungojnë dy liderët tanë. Gjithsesi, Kryetari nga unë e ka dhe i ofroj mbështetjen e plotë për punën që e bën. Këshillin Politik e shoh si organizëm të nevojshëm statutar, parti e sidomos të rinjtë kanë nevojë për analiza të këtij trupi këshillëdhënës, partia ka nevojë për veteranët e vet, ashtu, sikur ka nevojë të ketë në parti gjithëpëfshirje, të atyre që dhanë kontribut nga themelimi e këndej por edhe me përvojë të gjatë organizative.

    Kurdo që mbahen zgjedhjet parlamentare, ku e shihni PDK, në çfarë përqindje?

    Me përqindje nuk mund të flas, por, shihet qartë se ka rënie të madhe në partinë e cila si e vetme i fitoi zgjedhjet. Kjo është shumë e sigurt se më nuk pritet në asnjë mënyrë të përsëritet rezultati i zgjedhjeve të kaluara nacionale. Qytetarët u bindën në gjysmë mandati për gabimin e bërë dhe nuk pres më që këtë ta lejojnë qytetarët. Ndërsa PDK-në, e shoh me përparim dhe kthim të ish votuesve dhe të pavendosurve brenda radhëve tona, të rinjve dhe grave. Në veçanti pres rritjen e përqindjes së grave që do të na votojnë, sepse, kemi bërë diçka që deri më tash asnjë parti nuk e bëri, 50/50 Gratë në struktura dhe vendimmarrje. Fuqinë tonë elektorale e kemi parë edhe në zgjedhjet lokale, ku i fituam komunat më të mëdha në nivel vendi.

    Çfarë po ndodh me Stadiumin Nacional. A keni biseduar me ministrin aktual? Kur pritet të nisin punimet?

    Projekti për stadiumin nacional është projekt që i takon nivelit qendror. Komuna e Drenasit në kohë rekorde ka arritur t’i kryejë të gjitha obligimet e saj karshi nivelit qendror. Ministria e Kulturës nuk ka paraparë mjete për ndërtimin e Stadiumit nacional. Komuna e Drenasit ka kryer të gjitha fazat, dhe deri më tani janë investuar rreth 10 milion euro për të gjitha fazat para se të filloj ndërtimi i stadiumit. Është bërë shpronësimi i asaj zone kadastrale me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe tani parcela me RDPP është në pronësi të Ministrisë së Kulturë, Rinisë e Sportit. Kjo e fundit ka bërë studimin e fizibilitetit me kosto 1 milionë e 500 mijë euro. Vetëm shpronësimi i zonës së planifikuar për ndërtimin e stadiumit i ka kushtuar buxhetit të shtetet 6,444,664,00 euro. Gjithashtu, Kosova për këtë projekt ideor, ka paguar mbi 1 milion euro. Pritet të bëhet stadium i nivelit të lartë, me një kapacitet nga 25 – 30 mijë ulëse dhe do të jetë investimi më i madh i shtetit në infrastrukturën sportive. Pra, deri më tani janë kryer tri fazat për realizimin e këtij projekti: studimi i fizibilitetit, shpronësimi dhe projekti ideor. Komuna për secilën kërkesë të paraqitur nga Ministria e ka përmbushur në afatin optimal. Tani mbetet që Ministria të fillojë ndërtimin e stadiumit, por, deri më tani nuk ka ndonjë lëvizje pozitive nga Ministria e Qeveria për të filluar ne këtë projekt.

    Për fund, cilat janë tre vendet që ja vlen të vizitohen në komunën e Drenasit nga qytetarët por edhe turistët e huaj?

    Komuna e Drenasit njihet për vendet e bukura për t’u vizituar. Është Liqeni i Vasilevës, i cili vizitohet jo vetëm nga banorët e Komunës së Drenasit, por edhe të Kosovës e turistët e huaj, Kalaja e Vuçakut dhe Vërbocit, pishat në Gllobar e Komoran, Bjeshkët e Berishës dhe kurrizi i Qyqavicës që është një vend që ia vlen për t’u vizituar. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!