×
  • Lajme
  • Lajme

    Ramiz Lladrovci: Hashim Thaçi nga Haga më tha, “je i pathyeshëm, veç vazhdo”, në balotazh nuk më frikësojnë keqbërësit

    Reporteri
    31 Tetor 2021 | 18:00

    Autor: Blendi Gashi


    Ramiz Lladrovci, kandidat i PDK-së nuk arriti të bëhet kryetar i Drenasit në raundin e parë, por beson fuqishëm në balotazh do të mposht kundërkandidatin e tij, Driton Ajazi.

    Lladrovci në një intervistë dhënë për Gazetën Online “Reporteri.net” tregon nëse i frikësohet humbjes eventuale në balotazh, kur i prishi raportet me Ajazin, projektet që synon t’i realizojë nëse bëhet kryetar, sa është unike sot PDK në Drenas ,si e vlerëson punën e kryetarit të partisë, Memli Krasniqi dhe flet për humbjen e Bekim Jasharit në Skenderaj.

    Në këtë intervistë Lladrovci ekskluzivisht jep detaje nga biseda që zhvilloi ditë më parë me Hashim Thaçin e Rexhep Selimin të cilët gjenden në Hagë.

    Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë me kandidatin e PDK-së, për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, dhënë për Reporteri.net:

    REPORTERI.net: PDK doli e para por nuk arriti të fitoj pa balotazh në Drenas, që njihet si bastion i saj. Pse mendoni se qytetarët nuk ju votuan të fitoni qysh në raundin e parë?

    Ka shumë arsye, në mes tjerash, ndalimi apo vonesa në realizimin e projekteve të nivelit qendror të cilat janë në zbatim, si: Rruga me katër korsi, Realizimi i Stadiumit nacional, Realizimi i Qendrës së re të biznesit, procedurat ligjore lidhur me furnizimin me ujë për 22 fshatra, heqja e buxhetit për projektet në proces duke shkaktuar vonesa, vonesa në Liqenin e Vërbocit, vonesa për zbatimin e projektit të kolektorëve, projekte këto që varen nga niveli qendror, por edhe propaganda dhe lakmia për pushtet e disa keqbërësve.

    Në balotazh do të përballeni me Driton Ajazin, ish-bashkëpartiak i juaji. I frikësoheni një humbje eventuale?

    Nuk i frikësohem as atij, as keqbërësve, sepse, PDK ka vendin, meritën dhe përkushtimin që unë si kryetari i komunës me performancës më të mirë komunale, do të vazhdojmë me qeverisjen e mirë, zbatimin e ligjit, transparencën dhe llogaridhënien. Andaj, qytetari e di se ne punojmë, ne nuk ndalemi. Vazhdojmë.

    Cila është arsyeja e armiqësisë me Ajazin? Cili është momenti kur ju i prishët raportet?

    Nuk kam armiqësi me askënd, bindjet politike janë të lira dhe secili mund të zgjedh rrugën e vet. Unë jam në PDK, kandidat i sak nga viti 2016, për kreun e Drenasit. Tash jam edhe kryetar në detyrë i PDK-së në Degë, andaj, PDK nuk synon këtu të shpall askënd armik, ka qëllim të fitoj zgjedhjet, me punë, me moral të punës, me qeverisjen më të mirë, me fuqizu bastionin, për ta rikonfirmuar forcën tonë si parti shtetformuese e shtetndërtuese.

    Nëse fitoni dhe një mandat si kryetar. Cilat janë 3 projektet më të mëdha që synoni t’i çoni realizoni?

    Tri projektet më të mëdha gjatë mandatit të ardhshëm janë përmbyllja e tërë infrastrukturës që varet nga pushteti lokal (rrugët, ujit, ndriçimit, trotuareve, kolektorëve, pastrimin e lumit, etj.), projekti i dytë është Rirregullimi i qendrës së Drenasit, Sheshit, rrugës, parkingjeve dhe qasjes së hyrje daljeve në qytet, dhe projekti i tretë është krijimi i objekteve me rëndësi të veçantë si muzeu, pallati multifunksional kulturor, QKMF, etj. pra, kemi shumë punë për të bërë.

    Sa është unike sot dega e PDK-së në Drenas? Janë sheshuar përplasjet?

    Përkundër imazhit të jashtëm, uniteti i degës së PDK-së është i plotë. Pas vendimit të Kryesisë, emërimit të Ushtruesve të detyrës dhe emërimit të kryesive në nëndegë, ky unitet forcohet çdo ditë, në çdo lagje e familje që ka votuar dhe voton PDK-në. Ka mundur të ishte më mirë nëse keqbërësit nuk do të mashtronin qytetarët e zakonshëm dhe besnik të PDK-së. Por, nuk do të arrijnë ta dobësojnë as PDK-në, as bastionin tonë në komunën e Drenasit.

    Po deri tani si e vlerësoni udhëheqjen e PDK-së nga Memli Krasniqi?

    Udhëheqja e z. Memli Krasniqi është kontinuitet i fitoreve, fuqizimit të PDK-së në nivel nacional, në komuna dhe me asamblistë. Sukseset e tilla janë dëshmi e punës së z. Krasniqi dhe kryesisë së re, në rikthimin e madh si parti e fuqishme me shtrirje gjithëpërfshirëse në nivel nacional. Kjo është mundësi e mirë e z. Krasniqi dhe tërë PDK-së për ta rikthyer partinë në liderë sa i takon qeverisjes lokale.

    Çka thotë për ju humbja e Bekim Jasharit në Skenderaj? A pritni që z.Jashari të themeloj ndonjë parti në nivel nacional?

    Nuk e komentoj situatën në Skenderaj. Nuk kam biseduar lidhur me këto çështje, nuk jam në dijeni për këtë pyetje lidhur me z. Jashari.

    Për fund, a mundeni ndonjë detaj nga biseda telefonike që zhvilluat së fundi me Hashim Thaçin e Rexhep Selimin?

    Biseda ishte e rastit, ishte thirrje nga z. Thaçi. Ishte e papritur, prandaj e kam quajtur edhe ndër bisedat më emocionale në jetë. Ishte hera e parë që kam biseduar me të prej se ndodhet në Hagë, ndërsa pas përshëndetjeve, pyetjeve për shëndetin e të gjithëve atje, vazhdova si bisedë që bëhet me shokun, ndërsa ai më pyeti rreth situatës këtu, të cilën e përcolli me mesazhin, “je i pathyeshëm, veç vazhdo”, shpreha falënderim me dëshirat për ta pritur sa më parë në Kosovë.

    Pastaj, më tha “Ramiz, qe edhe dikush do me të përshëndet në telefon”. Së pari mendova se po bisedoj me mikun tim, Kadri Veseli, iu drejtova “alo Kryetar”, Rexha me të qeshura ma priti, “ma kadale, Rexha jam, Rexha o Ramiz”, i kërkova falje, e përshëndeta dhe urova të ketë shëndet.

    Tema ishte e njëjtë, urimi që lirimi i tij dhe shokëve tjerë të bëhet sa më parë.

    Të dytë ishin të papërkulur, shumë krenar dhe plot energji. Po ashtu ju thash se besojmë të gjithë në pafajësinë e tyre, ata i duhen jo vetëm familjeve por edhe Kosovës dhe kombit, dhe i presim të kthehen faqebardhë. Besoj fort se kjo padrejtësi ndaj tyre do të ndërpritet së shpejti. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!