Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) ka publikuar një sërë rekomandimesh dhe vërejtjesh lidhur me mënyrën se si mediat e shkruara duhet të raportojnë për tragjeditë personale, veçanërisht kur në to janë të përfshirë fëmijë nën moshën 18-vjeçare.

Sipas KMSHK-së, mediat duhet të respektojnë të drejtën e individëve për të mbajtur zi, duke raportuar me empati, kujdes dhe vetëpërmbajtje.

“Mediat duhet të respektojnë vuajtjet e viktimave dhe ndjenjat e familjarëve të tyre. Po ashtu, mediat duhet të tregojnë maturi me fotografitë dhe pamjet, si dhe duhet të kenë në konsideratë ndjeshmërinë e publikut gjatë raportimit”, thuhet në njoftim.

Reklamë

KMSHK-ja thekson se gazetarët nuk duhet të intervistojnë apo fotografojnë fëmijët nën moshën 18-vjeçare për çështje që lidhen me familjen e tyre, me vetë fëmijët ose me personat e afërt të tyre, pa marrë paraprakisht pëlqimin e prindit apo të një të rrituri përgjegjës për ta.

Po ashtu, mediat e shkruara nuk duhet të publikojnë emrin, atësinë ose amësinë, mbiemrin, fotografitë, videot apo çfarëdo imazhi tjetër të fëmijëve nën moshën 18-vjeçare që janë të përfshirë ose të ndërlidhur me aksidente, incidente, raste dhune, vepra penale, fatkeqësi natyrore apo ngjarje të tjera.

Në rastet kur publikohen fotografi, video ose imazhe të personave ku shfaqen edhe fëmijë, mediat obligohen t’ua mbulojnë fytyrat dhe shenjat dalluese, si dhe të mos ekspozojnë rrethana që mund të mundësojnë identifikimin e tyre. Këtu përfshihen, ndër të tjera, shtëpia ku banojnë, shkolla ku vijojnë mësimin apo lagjja ku jetojnë, thekson KMSHK-ja.

Një tjetër rekomandim i Këshillit është që mediat e shkruara të mos i identifikojnë në asnjë rrethanë fëmijët nën moshën 18-vjeçare të përfshirë në vepra penale, pavarësisht nëse janë dëshmitarë apo të pandehur.

KMSHK-ja nënvizon gjithashtu se raportimi për tragjeditë personale duhet të bëhet me kujdes të shtuar dhe vetëm në rastet kur çështja përbën interes të lartë publik.

Reklamë

“Nëse interesi publik është i lartë, atëherë ndaj fëmijëve të prekur nga tragjedia duhet pasur qasje mirëkuptimi, mbrojtje të privatësisë, mbulim të fytyrës dhe diskrecion”, thuhet në komunikatë.

Reagimi i KMSHK-së u bë publik në të njëjtën ditë kur disa portale publikuan pamje nga ceremonia e varrimit të Arlinda Zekajt, ku u shfaq edhe fëmija i saj i mitur.


Arlinda Zekaj u vra të dielën, më 25.10.2026, në Vitomiricë të Pejës.

I dyshuar për vrasjen është ish-kunati i saj, Albert Sylaj, i cili vazhdon të jetë në arrati, ndërsa Policia e ka shpallur në kërkim.

Reklamë

Bazuar në të dhënat fillestare, Policia ka deklaruar se dyshohet që vdekja e saj të ketë ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë.

Vetëm pak kohë para se të vritej, rreth orës 19:00 të së dielës, Arlinda Zekaj kishte raportuar në stacionin policor të Pejës rast të dhunës në familje.