Krejtësisht kundërthënëse, e ka quajtur Departamenti amerikan i Shtetit, marrëveshjen e nënshkruar në margjinat e OKB-së mes Serbisë dhe Rusisë, raporton gazeta online Reporteri.net.
Një zëdhënës i DASh-it, në një përgjigje për Zërin e Amerikës, në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar mes Nikolla Selakoviç dhe Sergej Lavrov-it tha se “lajmi rreth kësaj marrëveshje na befasoi dhe është në kundërshtim me takimet konstruktive që kemi mbajtur me zyrtarët serbë në New York”.
Këtë marrëveshje, DASh e quajti “në drejtim të gabuar” si dhe “në kontradiktë” me aspiratat e deklaruara evropiane të Serbisë.
“Serbia duhet të nxitojë hapat e saj dhe të avancojë rrugën evropiane, përfshirë diversifikimin e burimeve të energjisë për të ulur varësinë nga Rusia si dhe të bashkërendojë politikat e saj të jashtme dhe të sigurisë me BE-në”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit.
ShBA vazhdon të mbështesë një Serbi orientimi i së cilës është unioni evropian, ka thënë zëdhënësi.
“Është e qartë që Rusia nuk mbështet anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe vetëm se po provon të shkaktojë ndarje në rajon. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në mënyrë të paekuivok në BE; zgjerimi promovon paqe afatgjate, stabilitet dhe prosperitet pë rajonin”, përfundon reagimi i DASh-it.
Kryediplomati serb, Nikolla Selakoviç, duke provuar të reduktojë signifikancën e kësaj marrëveshje të nënshkruar me Lavrov-in, tha se ajo “është e natyrës teknike” si dhe që si marrëveshja “daton që nga viti 1996”.
Por, reagimet ndaj kësaj, Selakoviç i quajti “tentime për ta diciplinuar Serbinë në politikën e saj të jashtme”.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se e kishte parë ata marrëveshje, dhe se “nuk kishte gjë në të”, por shtroi pyetjen se “pse dikush duhet të nënshkruajë gjë me Rusinë?”.